Lajme

Analistët politik: Partitë me improvizime dhe ndryshime të vogla në listat zgjedhore

05/14/2026 19:06
nga:Genita C

Analisti politik Blerim Burjani ka kritikuar partitë politike për improvizime dhe mungesë serioziteti në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke thënë se po përfshihen figura pa peshë reale në opinionin publik.

Ai vlerësoi se lëvizja më e rëndësishme politike mbetet rikthimi i Vjosa Osmani në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa transferet e tjera i cilësoi kryesisht për interesa personale.

“Partitë, në këtë periudhë kaq të shkurtër kohore, më shumë po bëjnë improvizime. Ka ardhje të njerëzve që nuk kanë ndonjë peshë në opinionin politik kosovar, e disa që janë shitur si analistë në media, ndërkohë që dihet publikisht se janë partiakë. Nuk shoh fitues, por zhurmues, marketing të rrejshëm dhe mashtrime”, thotë ai për GazetaBlic.

Ndërsa, analisti politik Arton Muhaxheri ka vlerësuar se listat zgjedhore të partive në Kosovë nuk kanë pësuar ndryshime të mëdha, pavarësisht afrimit të zgjedhjeve të reja brenda një kohe të shkurtër.

Sipas tij, përjashtim bëjnë disa lëvizje simbolike, ndërsa ndryshimi më i dukshëm shihet te Lidhja Demokratike e Kosovës, për shkak të kalimit të disa ish-deputetëve të Lëvizja Vetëvendosje.

“Duke pasur parasysh se Kosova, brenda një kohe të shkurtër, po përballet sërish me cikël zgjedhor, është e kuptueshme që listat e partive politike nuk kanë pësuar ndryshime të mëdha. Përjashtim bëjnë disa lëvizje simbolike dhe prurje të reja, efektin e të cilave do ta shohim më 7 qershor”, thotë Muhaxheri për GazetaBlic.

Krstic: LDK me Vjosa Osmanin mund të arrijë rezultat më të mirë se PDK-ja në zgjedhjet e 7 Qershorit