Legjenda e tenisit spanjoll, Rafael Nadal, ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet që e lidhin me zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Real Madrid.
Në ditët e fundit, mediat spanjolle raportuan se emri i Nadalit ishte përfshirë në disa skenarë të mundshëm për garën presidenciale të klubit madrilen, sidomos pas diskutimeve rreth një kandidature alternative ndaj presidentit aktual, Florentino Perez, transmeton GazetaBlic Sport.
Megjithatë, ish-numri një i botës reagoi menjëherë përmes rrjeteve sociale, duke mohuar kategorikisht çdo lidhje me zgjedhjet. Nadal deklaroi se lajmet që po qarkullojnë nuk janë të vërteta dhe se ai nuk është pjesë e asnjë projekti apo kandidature që lidhet me drejtimin e klubit.
Spekulimet nisën pas shpalljes së procesit zgjedhor nga drejtuesit e klubit, çka ka shtuar diskutimet në opinionin sportiv spanjoll për emra të mundshëm që mund të synojnë presidencën e “Los Blancos”.
Pavarësisht mohimit të tij, Nadal mbetet një nga tifozët më të njohur të Real Madrid. Ai ka shprehur shpesh publikisht dashurinë për klubin madrilen dhe gëzon statusin “socio de honor”, një nderim i veçantë që u jepet figurave të rëndësishme pranë klubit.
/GazetaBlic Sport/


