Lajme

Tmerr në Brighton, trupat e pajetë të tre grave gjenden në plazh

05/13/2026 20:45
nga:Y I

Një alarm u ngrit mëngjesin e së mërkurës së 13 majit në Brighton të Mbretërisë së Bashkuar, pasi në një plazh u gjetën trupat e pajetë të tre grave.

Sipas BBC, shërbimet e emergjencës, përfshirë ekipet e shpëtimit në det, një helikopter, policia dhe ambulancat, kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje pas një njoftimi të marrë rreth orës 05:45 të mëngjesit, lidhur me shqetësime për persona në det.

Autoritetet kanë nisur hetime urgjente për të identifikuar viktimat dhe për të përcaktuar rrethanat e sakta të këtij incidenti tragjik.

“Ky është një incident tragjik dhe hetimet urgjente janë duke u zhvilluar për të konfirmuar identitetin e këtyre tre grave dhe për të kuptuar saktësisht çfarë ka ndodhur,” deklaroi Kryeinspektori Adam Hayes.

Roja Bregdetare ka bërë të ditur se një kërkim i gjerë në det është përfunduar dhe aktualisht nuk ka persona të tjerë të zhdukur. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën e ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit.