Lajme

Hoxhaj: Më 7 qershori qytetarët le të vendosin nëse nuk duan filmin e njëjtë

05/13/2026 20:39
nga:Y I

Enver Hoxhaj nga PDK-ja në ”Click” ka akuzuar Albin Kurti për shkelje të rendit institucional dhe politik në Kosovë, duke thënë se proceset shtetërore janë menaxhuar në mënyrë të gabuar.

Hoxhaj tha se fillimisht duhej të zgjidhej kryetari i Kuvendit dhe të formoheshin institucionet, e vetëm më pas të procedoheshin marrëveshjet ndërkombëtare.

“Nëse Kurti do të ishte serioz, fillimisht do ta zgjidhte kryetarin e Kuvendit, qeverinë dhe pastaj t’i nënshkruante marrëveshjet ndërkombëtare. Ai bëri të kundërtën, së pari e zgjodhi qeverinë”, deklaroi Hoxhaj.

Ai shtoi se PDK-së i ishte ofruar posti i kryetarit të Kuvendit, por sipas tij, partia nuk është e interesuar për poste politike pa një marrëveshje më të gjerë për funksionimin e institucioneve.

“Na thanë merreni pozitën e kryetarit të Kuvendit, por neve nuk na duhet asgjë ai post. Nëse qytetarët nuk duan ta shohin më të njëjtin film, duhet të mendojnë ndryshe”, u shpreh Hoxhaj.