Sporti

Christian Vieri: Interi favorit për finalen e Kupës së Italisë ndaj Lazios

05/13/2026 11:02
nga:Mergim Rreci

Legjenda italiane Christian Vieri beson se Interi hyn si favorit i madh në finalen e Kupës së Italisë kundër Lazio, por paralajmëron se skuadra romake do të jetë krejtësisht ndryshe nga ajo që u mposht 3-0 vetëm pak ditë më parë.

Në një intervistë për Gazzetta dello Sport, ish-sulmuesi që ka luajtur për të dy klubet lavdëroi punën e trajnerit Cristian Chivu, duke theksuar se suksesi i këtij sezoni është vetëm fillimi për teknikun rumun, transmeton GazetaBlic Sport.

“Interi është skuadra më e mirë në Itali dhe nis natyrisht si favorit. Por Lazio duhet respektuar, sepse një fitore mund ta shpëtojë të gjithë sezonin e tyre”, deklaroi Vieri.

Sipas tij, Chivu ka treguar qetësi dhe personalitet në momentet më të vështira të sezonit, sidomos kur Inter humbi disa pikë në fillim të kampionatit.

“Shumë njerëz në Itali e dramatizojnë gjithçka. Chivu nuk e bëri këtë. Ai e kuptoi që tensionet duhej të largoheshin gradualisht dhe ekipi do ta gjente ritmin. Nuk kam dyshuar asnjëherë tek ai, edhe pse kishte pak eksperiencë. Tani është kampion i Italisë dhe ky është vetëm fillimi”, shtoi ish-bomberi italian.

/GazetaBlic Sport/