Lajme

Mungesa e barnave: Pacientët mes rrezikut dhe kostove të larta

05/12/2026 10:19
nga:G B

Mungesa e barnave dhe materialit shpenzues në institucionet publike shëndetësore në Kosovë vazhdon të mbetet një problem serioz, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e trajtimit të pacientëve dhe funksionimin e sistemit shëndetësor. Pacientët shpesh detyrohen t’i sigurojnë vetë barnat dhe materialet bazike, çka po rrit barrën financiare dhe po krijon pabarazi në qasje ndaj shërbimeve mjekësore.

Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se menaxhimi i klinikave në QKUK është përgjegjësi e SHSKUK-së, ndërsa kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e artikullit. Shoqata e të Drejtave të Pacientëve ka paralajmëruar se mungesat po shkaktojnë vonesa në trajtime, ndërprerje terapish dhe ulje të besimit në institucionet publike.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, e ka cilësuar situatën si reflektim të problemeve të thella strukturore në organizimin dhe financimin e sistemit shëndetësor. Sipas tij, dobësitë në prokurim, mungesa e menaxhimit efikas të stokut dhe modeli i tejkaluar organizativ i SHSKUK-së janë ndër arsyet kryesore të krizës. Ai ka kërkuar masa urgjente, përfshirë furnizim emergjent, auditim të stokut dhe reforma strukturore për rritjen e autonomisë së institucionit.

Edhe ish-ministri Armend Zemaj ka vlerësuar se mungesa e barnave po rrezikon jetën e pacientëve, duke akuzuar për keqmenaxhim dhe mungesë transparence në institucionet shëndetësore. Ai ka kërkuar auditim urgjent, hetime të pavarura dhe digjitalizim të sistemit për të rritur efikasitetin.

Ndërkohë, ish-deputeti Bekim Haxhiu e ka cilësuar gjendjen si “sëmundje kronike” të sistemit shëndetësor, duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim dhe “tenderomani”. Sipas tij, pavarësisht rritjes së buxhetit për barna, furnizimi mbetet i paqëndrueshëm dhe pacientët vazhdojnë të përballen me mungesa të barnave esenciale./Front Online