Sporti

Ka shkëlqyer gjatë gjithë sezonit, Shpresim Zogu: Kemi punuar shumë, besojmë që Feronikeli e meriton rikthimin në Superligë

05/11/2026 16:51
nga:L J

Sulmuesi i Feronikelit, Shpresim Zogu, ka folur me optimizëm për objektivin e madh të skuadrës, rikthimin në Superligën e Kosovës.

Zogu ka shpërthyer këtë stinor me 17 gola, 16 prej të cilave i realizoi në Ligën e Parë dhe një në Kupën e Kosovës, duke treguar cilësitë e tij në ndeshjet vendimtare të ekipit nga Drenasi, shkruan GazetaBlic Sport.

Zogu pranoi se fanella e Feronikelit bart gjithmonë përgjegjësi dhe presion, sidomos në një sezon ku klubi po lufton për rikthim në elitë, por theksoi se ai mundohet ta shndërrojë këtë në motivim në fushë.

“Normalisht që ka presion kur e vesh fanellën e Feronikelit, sidomos kur klubi lufton për rikthim në Superligë, por unë mundohem me kthy atë presion në motivim dhe me ndihmu ekipin sa ma shumë me gola e paraqitje të mira”, deklaroi Zogu për ‘GazetaBlic Sport’.

Ai shtoi se forma e tij e mirë këtë sezon vjen si rezultat i punës individuale, besimit të trajnerit dhe atmosferës pozitive brenda skuadrës.

“Besoj që çelësi i formës time këtë sezon ka qenë puna individuale, besimi i trajnerit dhe atmosfera shumë e mirë brenda skuadrës. Krejt ekipi po punon fort dhe kjo po shihet edhe në rezultate”, u shpreh sulmuesi.

Në fund, Zogu theksoi se skuadra mbetet plotësisht e fokusuar në dy ndeshjet e fundit të sezonit, duke besuar fuqishëm se Feronikeli e meriton rikthimin në Superligë.

“Jemi optimistë dhe besojmë shumë që Feronikeli e meriton rikthimin në Superligë. Na kanë mbet edhe dy ndeshje finale dhe do japim maksimumin me e arrit objektivin”, përfundoi ai.

Feronikeli 74′ në dy duelet e fundit luan ndaj Trepçës dhe Ramiz Sadikut, teksa ndodhet në pozitën e dytë me 68 pikë, një më pak se Vushtrria e vendit të parë.

Dy vendet e para inkuadrohen direkt në Superligën e Kosovës në futboll.

/GazetaBlic Sport