Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, është në një betejë të madhe ligjore kundër OpenAI dhe drejtorit të saj, Sam Altman, duke kërkuar 150 miliardë dollarë dëmshpërblim.
Rasti po shqyrtohet nga gjyqtarja federale Yvonne Gonzalez Rogers, e njohur për trajtimin e çështjeve të mëdha në industrinë teknologjike dhe për qasjen e saj të prerë në sallën e gjyqit.
Musk, i cili ishte bashkëthemelues i OpenAI në vitin 2015, pretendon se është mashtruar për misionin fillestar të kompanisë, e cila në atë kohë funksiononte si organizatë jofitimprurëse.
Gjatë dëshmisë së tij javën e kaluar, Musk tentoi në një moment të luante rolin e avokatit të vet, duke akuzuar avokatin e OpenAI, William Savitt, se po bënte pyetje orientuese.
Gjyqtarja Yvonne Gonzalez Rogers ndërhyri menjëherë për ta ndalur, raporton BBC.
“Kështu nuk funksionon,” tha ajo në sallën e gjyqit.
Ajo i shpjegoi Musk se, ndryshe nga një avokat që pyet klientin e vet gjatë dëshmisë direkte, Savitt kishte të drejtë të bënte pyetje orientuese.
“Le t’ia kujtojmë të gjithëve në sallën e gjyqit se ju nuk jeni avokat,” i tha gjyqtarja atij.
“Nuk jam avokat, edhe pse teknikisht kam ndjekur lëndën ‘Laë 101’ në shkollë,” shtoi ai me humor, duke shkaktuar të qeshura në sallën e gjyqit.
Sipas vëzhguesve të procesit gjyqësor, Musk duket se ka gjetur një kundërshtare të fortë te gjyqtarja Gonzalez Rogers.
“Është një kontrast interesant. Ai është njeriu më i pasur në botë dhe është mësuar të jetë gjithmonë në krye. Por tani ajo është në krye. Ajo është që kontrollon gjithçka,” deklaroi Vicki Behringer.
Komentuesit e përshkruajnë Gonzalez Rogers si një gjyqtare të ashpër, por të drejtë, e cila ka kontroll të plotë mbi sallën e saj të gjyqit, transmeton Klankosova.tv
“Ajo dëshiron që të gjithë të trajtohen njësoj para ligjit,” tha avokati Michael Rhodes, i cili më parë ka përfaqësuar si Musk ashtu edhe OpenAI.
Edhe pse juria prej nëntë personash pritet të japë vendimin deri në fund të këtij muaji, vendimi i tyre nuk do të jetë përfundimtar.
Ata kanë vetëm rol këshillues, ndërsa fjala e fundit do t’i takojë gjyqtares Gonzalez Rogers.


