Lajme

Qeveria gjermane refuzon të japë informata mbi turizmin e snajperëve në Sarajevë

05/10/2026 11:24
nga:G B

Raportimet mediale mbi të ashtuquajturin “turizëm i snajperëve” – një fenomen ku individë të pasur nga Evropa Perëndimore dyshohet se paguanin para për të shkuar në kodrat mbi Sarajevën e rrethuar, me qëllim që të qëllonin mbi njerëzit si pjesë e një “safari” vrastar kanë nxitur debate edhe në politikën gjermane.

Sipas revistës DER SPIEGEL, partia e Të Gjelbërve (Die Grünen) në parlamentin gjerman ka kërkuar zyrtarisht informacione nga Qeveria gjermane nëse shërbimet sekrete dhe autoritetet e tjera gjermane kanë dijeni për përfshirjen e shtetasve gjermanë në këto krime lufte në Sarajevë. Megjithatë, përgjigjja e qeverisë ka qenë një refuzim i prerë për të dhënë detaje.

Në përgjigjen e saj drejtuar Të Gjelbërve, Qeveria e Gjermanisë ka argumentuar se dhënia e një përgjigjeje konkrete është “e papërballueshme” për shkak të volumit të madh të punës që kërkohet.

Ministria e Brendshme njoftoi se gjurmimi i informacioneve do të kërkonte një rishikim manual të mijëra dosjeve fizike dhe digjitale që datojnë nga viti 1992.

Sipas qeverisë, kjo do të bllokonte punën e institucioneve për një kohë të papërcaktuar. Ky arsyetim vlen edhe për arkivat e Prokurorisë së Përgjithshme Federale, ku është pohuar se kriteret si “vrasje me snajper” nuk figurojnë në regjistrat e proceseve, prandaj do të duhej një kërkim manual në një arkivë të madhe.

Ky qëndrim i qeverisë gjermane ka shkaktuar zemërim te partia e Të Gjelbërve. Irene Mihaliq, deputete e Të Gjelbërve dhe ish-police, prindërit e së cilës rrjedhin nga Kroacia, u shpreh për DER SPIEGEL se mospërgjigjja ndaj pyetjeve mbi këto krime kaq dramatike është problematike. Sipas saj, qeveria po minon të drejtën parlamentare për kontroll dhe informim.