Rafa Leao po kalon një sezon të vështirë me Milanin, duke u larguar nga pritshmëritë që e shoqëronin si një nga yjet kryesorë të skuadrës.
Në vend të rolit të liderit të padiskutueshëm, portugezi ka rënë në një pozicion gjithnjë e më të paqartë brenda formacionit.
Në moshën 27-vjeçare, Rafa Leao pritej të ishte në kulmin e karrierës së tij, por performancat kanë qenë të luhatshme, si në aspektin e golave ashtu edhe në qëndrueshmërinë në lojë dhe sjellje.
Në këtë sezon, në 27 ndeshje të luajtura, ai ka shënuar vetëm 9 gola.
Trajneri Allegri ka provuar ta transformojë Leao-n në një sulmues qendror, por pa sukses, ndërsa i gjithë reparti ofensiv i Milanit ka vuajtur nga mungesa e efikasitetit.
Kontrata e tij me klubin është e vlefshme deri në qershor 2028 dhe përfshin një klauzolë prej 175 milionë eurosh, por në praktikë kjo shifër nuk konsiderohet reale.
Milani do të ishte i gatshëm të shqyrtonte oferta rreth 60 milionë euro, veçanërisht nëse lojtari do të shkëlqente në një turne të madh si Botërori.
Megjithatë, problemi kryesor mbetet mungesa e një klubi të gatshëm për ta blerë në Europë për momentin.
Nëse marrëdhënia me Milanin ka hyrë në fazën përfundimtare, kjo verë mund të jetë vendimtare për të ardhmen e tij.
Opsioni i vetëm konkret vjen nga Arabia Saudite. Al Hilal i Simone Inzaghit raportohet i interesuar për Leao-n, me synimin për ta ribashkuar me Theo Hernandez.
Por mbetet e paqartë nëse sulmuesi portugez do të pranojë një transferim financiarisht shumë tërheqës, por larg futbollit europian.


