Sporti

Mobilizim i madh tek Bashkimi, presidenti Kabashi: E duam titullin kampion, për ‘Arpagjikët’ dhe Prizrenin

05/08/2026 19:35
nga:Mergim Rreci

Finalet e playoff-it në basketbollin kosovar rikthejnë edhe një herë përballjen e madhe mes KB Bashkimit dhe KB Trepça, dy skuadrave që vitet e fundit kanë dominuar skenën vendore dhe kanë krijuar një nga rivalitetet më të forta në vend.

Takimi i parë i serisë finale zhvillohet të dielën nga ora 19:30 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, duke hapur një tjetër kapitull të një përballjeje që tashmë është bërë tradicionale në finalet e basketbollit kosovar.

Në prag të kësaj serie të zjarrtë, presidenti i Bashkimit, Kushtrim Kabashi, ka folur për GazetaBlic Sport, duke theksuar peshën dhe rëndësinë e këtyre dueleve mes dy klubeve.

Kabashi ka vlerësuar lart rivalitetin mes Bashkimit dhe Trepçës, duke rikujtuar se këto dy skuadra janë përballur shpesh në finale gjatë dy sezoneve të fundit, përfshirë dy finale kampionati dhe një finale të Kupës. Sipas tij, kjo është dëshmi e qartë e nivelit të lartë dhe organizimit të dy klubeve.

“Ne kemi respekt maksimal për kundërshtarin, por si drejtor i KB Bashkimi besoj fuqishëm se kemi ndërtuar një ekip me karakter, mentalitet fitues dhe identitet të fortë gjatë gjithë sezonit. Kemi punuar shumë për të arritur deri këtu dhe mendoj se ka ardhur momenti që ta tregojmë forcën tonë edhe në finale,” ka deklaruar Kabashi.

Ai ka shtuar se pret një seri jashtëzakonisht të fortë dhe me intensitet të lartë, duke theksuar edhe rëndësinë e atmosferës nga tifozët në të dy qytetet, Prizren dhe Mitrovicë.

“Pres një seri shumë të fortë, me intensitet të madh dhe atmosferë të jashtëzakonshme nga të dy tifozeritë. Shpresoj që të kemi anim korrekt dhe që këto finale të kthehen në festë sportive,” tha ai, duke shprehur bindjen se skuadra e tij do të japë maksimumin për ta sjellë titullin në Prizren.

“Jam i bindur që ekipi ynë do ta japë maksimumin në çdo ndeshje për ta sjellë titullin në Prizren, aty ku tifozët tanë e meritojnë më së shumti“, shtoi Kabashi.

Në pjesën tjetër të deklaratës, Kabashi i është drejtuar tifozëve të Bashkimit, të njohur si “Arpagjikët”, duke kërkuar unitet dhe mbështetje maksimale në këtë moment vendimtar.

“Mesazhi im për qytetin, prizrenasit dhe Arpagjik’t është i thjeshtë: na duhet uniteti dhe energjia juaj më shumë se kurrë. Kjo skuadër ka luftuar me zemër gjatë gjithë sezonit dhe ka ndier mbështetjen e jashtëzakonshme të qytetit në çdo moment,” u shpreh ai.

Kabashi gjithashtu falënderoi tifozët për përkrahjen e vazhdueshme, duke theksuar se atmosfera që ata krijojnë është një nga armët më të forta të ekipit.

“Atmosfera që krijojnë Arpagjikët’ është forcë shtesë për lojtarët tanë. Tani është momenti të jemi të gjithë bashkë dhe ta shtyjmë ekipin drejt objektivit tonë të madh. Prizreni e meriton këtë gëzim, Arpagjik’t e meritojnë këtë titull dhe besoj fuqishëm se së bashku mund ta sjellim trofeun në qytetin tonë,” përfundoi Kabashi.

/GazetaBlic Sport/