Sporti

Gjest fantastik: Preisdenti i PSG-së financon udhëtimin e 500 punonjësve për finalen në Budapest

05/08/2026 18:51
nga:Mergim Rreci

Presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, ka treguar edhe një herë anën e tij njerëzore dhe vlerësimin për stafin e klubit, duke vendosur të financojë plotësisht udhëtimin e 500 punonjësve të PSG-së për finalen e UEFA Champions League kundër Arsenalit në Budapest.

Ky gjest i veçantë vjen si një vazhdim i iniciativës së ndërmarrë edhe sezonin e kaluar, kur drejtuesi katariot shpërbleu stafin e klubit pas një sezoni historik që kulmoi me triumfin evropian të parisienëve, transmeton GazetaBlic Sport.

Në klub besojnë se prania e stafit pranë ekipit ka luajtur rol të rëndësishëm në atmosferën pozitive dhe suksesin e skuadrës në momentet vendimtare.

Finalja e vitit të kaluar në Munich mbetet ende e freskët në kujtesën e tifozëve të PSG-së. Atëherë, skuadra franceze dominoi ndaj Inter Milan me rezultatin e thellë 5:0, duke siguruar trofeun më të rëndësishëm në futbollin evropian për klube dhe duke shkruar histori për klubin nga Parisi.

Vendimi i Al-Khelaifit po shihet edhe si një motivim shtesë për ekipin e drejtuar nga Luis Enrique. Përveç mijëra tifozëve që pritet të udhëtojnë drejt kryeqytetit hungarez, prania e 500 punonjësve të klubit pritet të krijojë një atmosferë të jashtëzakonshme mbështetjeje për futbollistët parisienë.

/GazetaBlic Sport/