Sporti

Messi analizon favoritët për Kupën e Botës: Franca duket shumë e fortë, por kujdes edhe nga Portugalia

05/08/2026 16:32
nga:Mergim Rreci

Ylli argjentinas Lionel Messi ka folur së fundmi për garën e ardhshme të Kupës së Botës, duke vlerësuar disa prej kombëtareve që sipas tij janë favorite për të triumfuar në skenën më të madhe të futbollit botëror.

Kapiteni i Argentinës pranoi se kombëtarja e tij nuk konsiderohet favoritja kryesore, ndërsa theksoi se disa kombëtare po kalojnë një formë shumë më të mirë në prag të turneut, transmeton GazetaBlic Sport.

“Duhet të kuptojmë se ka skuadra të tjera para nesh në listën e favoritëve, ekipe që po vijnë në formë më të mirë”, deklaroi Messi.

Fituesi i tetë herë i Topit të Artë veçoi veçanërisht Francën, të cilën e konsideron një nga ekipet më të forta aktualisht në futbollin ndërkombëtar.

“Franca duket sërish shumë e fortë, me kaq shumë lojtarë të nivelit të lartë”, u shpreh ai.

Përveç francezëve, Messi përmendi edhe Spanjën dhe Brazilin si pretendentë seriozë për trofeun, pavarësisht luhatjeve të fundit të brazilianëve.

“Edhe Spanja, Brazili, edhe pse prej kohësh nuk kanë qenë në nivelin e tyre më të mirë, janë gjithmonë pretendentë”, shtoi Messi.

Në fund, sulmuesi argjentinas vlerësoi edhe potencialin e Portugalisë, duke e konsideruar një ekip shumë konkurrues në arenën ndërkombëtare.

“Portugalia, mendoj, gjithashtu ka një kombëtare shumë konkurruese”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport/