Mesfushori i Real Madridit, Federico Valverde, ka reaguar publikisht pas raportimeve për një incident të ndodhur gjatë një seance stërvitore me Tchouamenin.
Në deklaratën e tij, Valverde pranoi se tensioni, lodhja nga sezoni dhe frustrimi për mungesën e trofeve kanë ndikuar që situata të dalë jashtë kontrollit. Ai sqaroi se debatet brenda zhveshtores janë normale në futboll, por këtë herë gjithçka u bë publike dhe mori përmasa të mëdha për shkak të presionit që ekziston te Real Madrid.
Mesfushori uruguaian mohoi kategorikisht zërat për një përleshje fizike me bashkëlojtarin, duke theksuar se askush nuk goditi askënd. Sipas tij, prerja në ballë ndodhi pasi goditi aksidentalisht një tavolinë gjatë debatit, çka e detyroi të merrte trajtim mjekësor në spital.
Valverde shprehu keqardhje për situatën dhe pranoi se emocionet e grumbulluara nga një sezon zhgënjyes shpërthyen në momentin e gabuar. Ai theksoi se Real Madridi mbetet një nga gjërat më të rëndësishme në jetën e tij dhe se gjithmonë do ta mbrojë klubin në çdo rrethanë.
Futbollisti 27-vjeçar shtoi se eliminimi nga UEFA Champions League dhe dështimi për të fituar trofe këtë sezon kanë ndikuar emocionalisht te skuadra, ndërsa konfirmoi se nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e ardhshme për arsye mjekësore.
Në fund të reagimit, Valverde deklaroi se mbetet plotësisht në dispozicion të klubit dhe bashkëlojtarëve për çdo vendim që do të merret.


