Lajme

Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë, disa të arrestuar

05/07/2026 10:43
nga:L J

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Kosovë, ndërsa disa persona janë arrestuar dhe një i dyshuar ndodhet ende në kërkim.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, në Fushë Kosovë një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht një grua dhe më pas me veturën e tij e ka goditur edhe veturën e viktimës. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor. Rasti po hetohet.

Në Viti janë arrestuar dy burra, pasi dyshohet se janë përleshur mes vete. Gjatë incidentit, njëri prej tyre dyshohet se ka sulmuar edhe një burrë tjetër. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Dy raste të tjera janë raportuar në Gjakovë. Në njërin rast, një burrë dyshohet se ka sulmuar një grua dhe një burrë, ku viktima mashkull ka pranuar trajtim mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në ndalim për 48 orë.

Ndërsa në rastin tjetër në Gjakovë, një grua dyshohet se ka sulmuar një grua tjetër. E dyshuara është arrestuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Po ashtu, në Malishevë është arrestuar një burrë, pasi dyshohet se ka sulmuar një grua. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Raporti i plotë nga Policia e Kosovës:

DHUNË NË FAMILJE

Fushë Kosovë 06.05.2026 – 22:45. Lidhur me rastin, është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar e ka sulmuar fizikisht dhe e ka goditur veturën e viktimës femër kosovare me veturën e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor. Rasti nën hetime.

DHUNË NË FAMILJE /LËNDIM I LEHTË TRUPOR

Viti / 06.05.2026 – 14:30. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi dyshohet se janë përleshur ndërmjet vete. Gjatë incidentit njëri prej tyre po ashtu ka sulmuar edhe viktimën tjetër mashkull kosovar. Në konsultim me prokurorin të dyshuarit pas inicimit të rastit janë dërguar në mbajtje.

DHUNË NË FAMILJE

Gjakovë 06.05.2026 – 21:30. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka sulmuar dy viktimat (një femër dhe një mashkull kosovar), lidhur me rastin viktima mashkull kosovar ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe në konsultim me prokurorin kujdestar dërgohet në ndalim për 48 orë.

Malishevë / 06.05.2026 – 22:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar për shkak se dyshohet se kishte sulmuar viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Gjakovë / 06.05.2026 – 21:00. Është raportuar se viktima femër kosovare është sulmuar nga e dyshuara femër kosovare e cila është arrestuar dhe pas inicimit të rastit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.