Bukayo Saka ishte protagonisti kryesor në mbrëmjen historike të Arsenal, duke shënuar dhe udhëhequr skuadrën londineze drejt finales së madhe të UEFA Champions League.
Menjëherë pas ndeshjes, në një intervistë për Amazon Prime Video, ylli anglez nuk e fshehu emocionin, edhe pse u ndërpre nga festimet e ekipit, transmeton GazetaBlic Sport.
“Po më largoni nga festa! Është kaq bukur,” u shpreh Saka. “E shihni çfarë do të thotë kjo për ne dhe për tifozët.”
Ai theksoi vështirësinë e përballjes, duke e cilësuar si një sfidë me presion të jashtëzakonshëm për të dyja skuadrat. Sipas tij, çelësi i suksesit ishte menaxhimi i duhur i momentit.
“Ishte më e lehtë për t’u thënë sesa për t’u bërë. Kjo ndeshje kishte presion të madh. Por ne e menaxhuam mirë dhe arritëm të shkojmë në finale,” deklaroi ai.
Saka kujtoi gjithashtu atmosferën elektrizuese që në momentin e mbërritjes së ekipit në stadium, duke e përshkruar si të paprecedentë në karrierën e tij. “Që kur mbërritëm me autobus, nuk kam parë kurrë diçka të tillë,” tha ai.
Duke folur për golin e tij vendimtar, 22-vjeçari pranoi se fati ndonjëherë luan rol, por rëndësi ka të jesh në vendin e duhur në momentin e duhur. “Ndonjëherë topi të vjen, ndonjëherë jo, por duhet të jesh aty dhe unë isha aty,” u shpreh ai.
I vetëdijshëm për presionin dhe kritikat që vijnë në nivele të tilla, Saka theksoi rëndësinë e fokusit. “Nuk ka si të arrish këtu dhe të mos kesh presion. Duhet t’i bllokojmë zërat nga jashtë,” shtoi ai.
Në fund, sulmuesi anglez e përshkroi rrugëtimin e Arsenalit si një histori të veçantë, duke shpresuar për një fund të lumtur në finalen e madhe në Budapest.
“Është një histori e bukur dhe shpresoj të përfundojë mirë në Budapest,” përfundoi Saka.
/GazetaBlic Sport/


