Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vjosa Osmani do të garojnë në një listë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Këtë e konfirmoi sot kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë.
Ai tha se kjo do të formalizohet në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, të shtunën.
“Votuam dhe u dakorduam që të formalizojmë me Vjosa Osmanin garimin e përbashkët në zgjedhje. Kishte dakordim për idenë e bashkimit, për garim të përbashkët, kishte dakordim për shumë gjëra që i kemi diskutuar. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm do t’i formalizojmë të gjitha”, tha Abdixhiku.
Sa i përket renditjes, ai tha se kjo nuk është e rëndësishme.
Por, çka mund të pritet nga ky bashkim?
Analisti politik, Avni Arifi, thotë për Gazeta Blic se LDK i ka tejkaluar ndodhitë e 2021 dhe beson se popullariteti i Osmanit do të ndikojë në rritje të rezultatit për ta.
“LDK duket qartë se i ka tejkaluar të gjitha ato që ndodhën në vitin 2021 dhe pesë vitet në mes tyre dhe Vjosa Osmanit. Besojnë që popullariteti i Vjosës do të ndikojë në rritje të rezultatit”, është shprehur ai.
Se sa do të ndikojë kjo, Arifi thotë se “varet nga shumë faktorë përfshirë edhe disponimin e strukturave të tyre dhe ecurinë e fushatës.”
Por, a pritet që gara më e fortë në këto zgjedhje të jetë mes Kurtit e Osmanit, tani si rivalë politikë?
Sipas Arifit, gara do të jetë e fortë për elektoratin që bashkë me Osmanin iku në VV.
“Gara mes Kurtit dhe Osmanit pritet të jetë për atë elektorat që me Vjosën iku në VV e jo për elektoratin tjetër. Edhe për këtë pjesë pritet të jetë garë e fortë”, ka vlerësuar Avni Arifi për Gazeta Blic.
Ndërsa, analistja politike, Alma Lama, vlerëson për Gazeta Blic se do të përsëritet skenari i 2021, ndërsa që pas zgjedhjeve mund të ketë koalicion LVV-LDK.
“Mendoj se do të përsëritet skenari i 2021, me pak ndryshime. Por, po përgatitet që pas zgjedhjeve të ketë koalicion LVV-LDK. Kjo e shpjegon edhe faktin që pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 nuk pati bashkim të opozitës, dhe si pasojë Kurti vazhdoi të qëndrojë në pushtet”, ka deklaruar Alma Lama./Gazeta Blic/


