Lajme

Agjencia e Kosovës për Akreditim njihet zyrtarisht në SHBA, Gashi: Sukses historik për arsimin e lartë në vend

05/05/2026 11:10
nga:Genita C

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, ka reaguar pasi institucioni që ai drejton është njohur zyrtarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë.

Sipas Gashit, ky vendim vjen më pak se një vit pas anëtarësimit të Kosovës në EQAR dhe përbën një sukses të madh për sistemin e arsimit të lartë në vend. Ai theksoi se për herë të parë një shtet evropian arrin të marrë këtë status në SHBA.

“Brenda më pak se një viti pas regjistrimit në EQAR, Kosova arrin edhe një sukses të madh ndërkombëtar. Kam pranuar vendimin e “Council Higher Education Accreditation”, një institucion prestigjoz amerikan që njeh Agjencinë e Kosovës për akreditim si autoritet akreditues. Për herë të parë, një shtet në Evropë arrin këtë status në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë ai.

Gashi e cilësoi këtë njohje si dëshmi të një procesi të gjatë reformash dhe përkushtimi ndaj cilësisë, duke shtuar se ajo hap më shumë mundësi për studentët kosovarë dhe rrit vlerën e diplomave të tyre në nivel ndërkombëtar.

Po ashtu, ai theksoi se ky zhvillim është një nxitje për universitetet në Kosovë që të avancojnë më tej dhe të forcojnë bashkëpunimin me institucionet akademike në SHBA dhe më gjerë.

“Ky nuk është vetëm një vendim, është dëshmi e një rruge të gjatë reformash, pune dhe besimi në cilësi. Është besimi që edhe nga Kosova mund të ndërtohen standarde që njihen në botë. Për studentat tanë, kjo do të thotë më shumë mundësi, më shumë dyer të hapura, më shumë vlerë për diplomën e tyre kudo në botë. Për universitetet tona është një thirrje për të shkuar edhe më lartë, për të ndërtuar ura me universitetet amerikane dhe me gjerë”, shtoi Gashi.

E plotë:

Agjencia e Kosovës për Akreditim pranohet zyrtarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës