Kombëtarja e Kosovës do të paraqitet me fanella të brendit të njohur adidas në ciklin e ri të garave evropiane, në kuadër të Skemës së Asistencës për Veshje të UEFA.
Lajmi është bërë i ditur nga Federata e Futbollit e Kosovës, e cila ka përfituar nga ky program për furnizim me pajisje sportive cilësore, transmeton GazetaBlic Sport.
Sipas njoftimit, përmes kësaj skeme, Kosova do të pajiset me veshje për ndeshje dhe stërvitje të dizajnuara në mënyrë të personalizuar, duke reflektuar identitetin e ekipit kombëtar. Programi i UEFA-s, i themeluar në vitin 2007, synon të mbështesë federatat anëtare duke u siguruar atyre standarde të larta në pajisje sportive.
Në këtë cikël të ri, adidas është përzgjedhur si furnizues zyrtar pas një procesi tenderimi, ku janë vlerësuar cilësia, përballueshmëria dhe përvoja në projekte të ngjashme. Për dy sezonet e ardhshme, dhjetë kombëtare evropiane përfshirë edhe Kosovën, do të paraqiten me dizajne unike të këtij brendi, të zhvilluara në bashkëpunim me federatat përkatëse.
Po ashtu, FFK-ja do të ketë qasje në shërbimin ekskluziv “Locker Room” të adidas, i cili mundëson dizajnimin dhe porositjen e veshjeve të personalizuara për ekipet. Ky shërbim synon të garantojë standarde të larta të performancës dhe një prezantim dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare.


