Sporti

U përzë dhe u paralajmërua për largim nga Beciragic, Vining befason me komentin e tij

05/01/2026 11:23
nga:Mergim Rreci

Një përplasje e fuqishme verbale ka shënuar ndeshjen gjysmëfinale në basketboll, ku trajneri i Trepçës, Adis Beciragic, përjashtoi nga banka rezervë fundorin amerikan Akili Vining pas një debati të ashpër mes tyre.

Ngjarja ndodhi në fund të çerekut të tretë, kur Beciragic vendosi ta zëvendësojë Vining. I pakënaqur me vendimin dhe komentet e trajnerit, basketbollisti reagoi me tone të larta, duke iu kundërvënë nga afër, transmeton GazetaBlic Sport.

Situata u tensionua shpejt, kurse lojtari u largua menjëherë drejt zhveshtores, i pakënaqur dhe shumë i revoltuar, madje kritika mori edhe pas ndeshjes nga trajneri.

Beciragic për ‘Art Sport’ tha se Vining nuk luajti në mbrojtje dhe e nënvlerësoi ndeshjen në tri aksione, sipas tij, një basketbollist i tillë që vepron në atë mënyrë, nuk ka vend në ekipin e tij.

Megjithatë, në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Akili Vining u deklarua sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

“Nuk e di për çfarë konflikti verbal e keni fjalën. E tëra çfarë pashë ishin dy vëllezër që i tregonin dashuri njëri-tjetrit”, ka deklaruar Vining, duke e minimizuar skajshmërisht momentin shumë tensionues me trajnerin e tij.

Pavarësisht këtij episodi, Trepça arriti një fitore bindëse në ndeshjen e serisë gjysmëfinale, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt finales.

/GazetaBlic Sport/