Dëshmia e brendshme e Ilir Prapashticës hedh dritë mbi një praktikë të dyshimtë financiare brenda BKS-së, ku mijëra euro tërhiqeshin në para kesh dhe përdoreshin për udhëtime jashtë vendit nga zyrtarë të lartë. Sipas e-mailit konfidencial, ai shërbente vetëm si ndërmjetës për tërheqjen dhe dorëzimin e mjeteve tek drejtuesit, ndërsa përgjegjësia për arsyetimin e shpenzimeve mbetej e paqartë.
Udhëtimet në Selanik dhe Londër përshkruhen si pjesë e një modeli të përsëritur, të shoqëruar me mungesë dokumentacioni të plotë financiar. Rasti lidhet me një seri më të gjerë dyshimesh për keqpërdorim fondesh në këtë institucion, të evidentuara. Hetimet tashmë kanë përfshirë jo vetëm staf administrativ, por edhe figura të menaxhmentit të lartë.
Në serialin e famshëm “Familja Moderne”, Ilir Prapashtica luante rolin e “Longarit”, një personazh që shpesh përfshihej në situata komike. Por, në jetën reale, brenda Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), ai është gjendur në qendër të një drame financiare që nuk ka asgjë qesharake. Një e-mail konfidencial, i shkruar nga vetë ai, zbërthen një skenar ku paratë e institucionit u përdorën për “ekskursione” luksoze të kupolës drejtuese, të financuara përmes tërheqjeve kesh.
BKS-ja si institucion i krijuar me ligj nuk prodhon vlerë vetë, por buxhetin e krijon nga xhepat e qytetarëve. Buxheti mbushet nga kompanitë e sigurimeve përmes policave obligative, pa të cilat Ministria e Punëve të Brendshme nuk pranon ta regjistrojë asnjë veturë.
Një linjë tjetër e rëndësishme janë policat kufitare që paguhen nga çdo qytetar që hyn në Kosovë.
Për një kohë të gjatë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka derdhur qindra-mijëra euro në vit nga buxheti publik për të subvencionuar këto pagesa kufitare për mërgimtarët.
5 mijë euro kesh për Selanik
Në prill të vitit 2023, në llogarinë e Ilir Prapashticës (Shef i Trajnimeve në BKS atë kohë) u derdhën 5,000 euro me një urdhër të prerë nga lart. Urdhërdhënësit ishin ish-drejtuesit: Sami Mazreku (ish-Drejtor Menaxhues) dhe Valon Berisha (Drejtor Financiar).
Ndryshe nga skenaret e filmave, këtu nuk kishte nevojë për efekte speciale. Prapashtica tregon se si u dërgua në bankë për të nxjerrë paratë kesh që do të shpenzoheshin nga eprorët e tij.
“Këto mjete unë i kam tërhequr komplet nga Banka NLB dhe ia kam dorëzuar në zyrë drejtorit të Financave, z. Berisha,” dëshmon Prapashtica në e-mailin drejtuar BKS-së, duke shtuar se në makinë gjatë tërheqjes ishte i shoqëruar nga Shefik Grabovci. Ky i fundit, pasi që Mazreku dha dorëheqjen u bë ushtrues detyre i Drejtorit të BKS-së.
Në e-mailin e tij, Prapashtica ka rreshtuar emrat e “grupit të madh” që morën pjesë në këtë udhëtim të financuar me mjetet e tërhequra kesh: Sami Mazreku – Drejtor Menaxhues, Valon Berisha – Drejtor Financiar, Rezarta Tafilaj – Drejtoreshë e Sigurimit Kufitare, Edona Ahmeti – Drejtoreshë e MOU, Valmir Rexha – Drejtor i Dëmeve, Shefik Grabovci – Drejtor i Qendrës Informative, Ilir Prapashtica – Shef i Trajnimeve, Vjollca Begu dhe Orhan Hajrizi
Nga Greqia në Londër, skema e kesh’it përsëritet
Historia nuk mbaron në Selanik. Vetëm një muaj më vonë, një tjetër shumë prej 2,000 eurosh u transferua në llogarinë e Prapashticës për një udhëtim në Londër. Prapashtica konfirmon se edhe këto mjete i janë dorëzuar Drejtorit për shpenzime, ndërsa faturat e majme mbetën “përgjegjësi” e eprorëve për t’i arsyetuar tek Financat.
“Ndërsa shuma prej 2,000.00 eurosh është po ashtu kërkesë e Drejtorit për udhëtimin në Londër, ku kam qenë bashkë me të. Mjetet e cekura janë shpenzuar gjatë udhëtimit për hotel, ushqim dhe shpenzime të tjera. Sa i përket faturave dhe pjesës së shpenzimeve, këtë me siguri duhet ta ketë arsyetuar Drejtori, z. Mazreku, në Departamentin e Financave”, thotë Prapashtica dhe sqaron se ai posedon vetëm faturat e restoranteve e të cilat i ka bashkëngjitur në e-mail dhe disa fatura të taksive.
“…mjetet thjesht më janë transferuar mua dhe unë ia kam dorëzuar Drejtorit (Mazrekut)”, thotë ai.
Ai e vazhdon tutje duke thënë se kjo është e gjitha që lidhet me transferet nga BKS-ja në llogarinë e tij private për shpenzime të udhëtimeve, por, “Nëse keni diçka tjetër lidhur me këto shpenzime, unë mund t’i arsyetoj ato vetëm përmes fotografive, vulave në pasaportë dhe fakteve bankare që vërtetojnë se kemi qenë në Selanik dhe Londër. Mirëpo, arsyetimi me fatura dhe dokumente të tjera duhet të bëhet nga vetë (ish) drejtorët e BKS-së”.
Një hulumtim për Byronë që ishte nisur menjëherë pas arrestimeve të janarit 2026 për aferën e pagesës së dëmeve të fryra ose që nuk kanë ekzistuar fare, ka zbuluar se në këtë institucion ka funksionuar edhe një skemë tjetër e dyshimtë financiare. Sipas dokumenteve të siguruara nga mediat, disa punonjës të BKS-së kanë përfituar pagesa shtesë përtej pagës zyrtare, të cilat më pas janë tërhequr në para cash. Hulumtimi zbardh mënyrën se si funksiononte kjo skemë dhe disa nga personat që figurojnë si përfitues.
Fillimisht, në fund të shkurtit 2026, BKS tentoi ta mbyllte rastin me 12 emra — kryesisht staf administrativ dhe punonjës të pikave kufitare:
Meriton Berisha, Doruntina Stublla, Lavdim Statovci, Lindita Cakaj, Saranda Sogojeva, Vanesa Gashi, Arta Kastrati, Ilir Prapashtica, Bashkim Vitija, Fatime Hamiti, Liridon Makolli dhe Afrim Kryeziu.
Këta u vendosën përballë një komisioni disiplinor, në një proces që sipas dokumenteve synonte ta paraqiste çështjen si shkelje individuale dhe jo si skemë të organizuar.
Megjithatë, paralelisht me këto zhvillime, Prokuroria Themelore në Prizren, e cila po heton rastin e dëmeve të dyshimta me vlerë mbi 1.3 milionë euro, ka nisur të trajtojë në mënyrë të pavarur edhe këtë aferë të re financiare.
Përpjekja e BKS-së për hetime të brendshme nuk zgjati shumë.
Vetëm një ditë pasi Insajderi kërkoi sqarime për konfliktin e interesit brenda komisionit disiplinor, më 31 mars 2026, ndodhi një zhvillim i pazakontë: Faik Sylejmani, Drejtor i Departamentit Ligjor — i caktuar fillimisht si “hetues” i rastit — u largua nga ky rol.
Arsyeja u bë më e qartë dy javë më vonë.
Me vendimin e 14 prillit 2026, lista e të dyshuarve u zgjerua në 16 persona, duke përfshirë edhe figura të menaxhmentit të lartë: Faik Sylejmani, Rezarta Tafilaj (Drejtoreshë e Departamentit të Sigurimit Kufitar), Edona Ahmeti (Drejtoreshë e Departamentit të Kartonit të Gjelbër dhe MOU) dhe Valmir Rexha (Mbikëqyrës i Dëmeve). /insajderi/.


