Në një lidhje për Ora News, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, komentoi situatën politike pas dështimit për zgjedhjen e Presidentit dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas tij, situata aktuale është një tregues i qartë i bllokimit institucional që po zgjat prej kohësh në vend.
“Është një lajm i keq. Destabiliteti institucional që po e shoqëron Kosovën nuk është vetëm i këtij viti, por edhe i vitit të kaluar. Kjo është një humbje për shtetin dhe për funksionimin normal të institucioneve.”-tha Rrustemi.
Ai shton se nuk ka një arsye të fortë që shpjegon dështimin për zgjedhjen e Presidentit, duke theksuar se kjo situatë po sjell pasoja edhe në aspektin financiar.
“Zgjedhjet sjellin kosto të reja për buxhetin e Kosovës dhe krijojnë humbje edhe në raport me projektet ndërkombëtare, për shkak të mungesës së institucioneve funksionale.”-shtoi ai.
Rrustemi vlerëson se zgjedhjet e reja nuk garantojnë zgjidhje të krizës, pasi zgjedhja e presidentit kërkon shumicë të kualifikuar në Kuvend, që mbetet sfidë për partitë politike.


