Drita ka fituar ndaj Prishtinës në derbin e xhiros së 31’të të Superligës së Kosovës.
“Intelektualët” fituan me rezultatin minimal 1-0, falë golit të Blerim Krasniqit në minutën e 84’të të duelit, pas super asistimit të Liridon Balajt, shkruan GazetaBlic Sport.
Drita mbetet në krye të tabelës, tani me 60 pikë, tetë më shumë se Ballkani, por me një duel më shumë të luajtur, teksa Prishtina mbetet në vendin e katërt me 45 pikë.
Në ndeshjen tjetër, Malisheva mori fitore masive ndaj Gjilanit me rezultatin 3-1, falë golave të shënuar nga Xhemajl Ibishi (2) dhe Dreni Kryeziu, teksa për mysafirët shënoi Armend Thaqi.
Malisheva tani ka 49 pikë në vendin e tretë, katër më shumë se Prishtina e vendit të katërt.
Llapi fitoi në Podujevë ndaj Prishtinës së Re me rezultatin e thellë 4-0.
Arbnor Ramadani, Arianit Hasani, Edon Sadriu e Fiton Ademi realizuan për Llapin sot.
Ekipi i Batatinës tani është në vendin e tetë me 36 pikë – kurse Prishtina e Re në vendin e fundit me 28 pikë.
/GazetaBlic Sport


