Shteti i Kosovës, që nga mbrëmë ka hyrë në një krizë të re politike.
Një krizë e cila ka rrjedhur si pasojë e moszgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës brenda afateve kushtetuese, e që e qojnë vendin në zgjedhje të reja.
Zgjedhjet që pritet të mbahen me 31 maj ose me 7 qershor, janë mirëpritur në një aspekt nga opozita, pasi sipas tyre është rrëzuar pushteti autoritar i Albin Kurtit dhe është mbrojtur rendi kushtetues.
Qeverisjen e Kurtit e ka kritikuar edhe ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Ai përmes një përgjigjje për lajmi.net, ka thënë se qytetarët në dy palë zgjedhjet e fundit “po e fundosin vendin me votën e tyre”.
Sipas tij, VV nuk po ka interes për të qeverisur.
“Zhvillimet e fundit (të para fundit dhe të para-parafundit tregojnë se qytetarët po e fundosin vendin me votën e tyre. Ata që po e fitojnë shumicën nuk janë të interesuar të qeverisin. Nuk kanë përgjegjësi dhe ndjesi për Kosovën. Po e rrezikojnë Kosovën dhe po zgërdhihen”, ka thënë Mustafa.
Zgjedhjet e reja në vend, mund të sjellin në lista zgjedhore një personazh që për pesë vite udhëhoqi shtetin, Vjosa Osmanit.
E rikthimin e Osmanit në LDK nuk po e sheh pozitiv Isa Mustafa.
Ai duke vlerësuar atë që ka bërë Osmani në vitin 2020, tha se i ka bërë dëm të pariparueshëm LDK-së.
“Sa i përket LDK-së, orientimeve, kalkulimeve… nuk jam në rrjedhë. Do të spekuloja me përgjigje. Ndaras kësaj, ajo që di unë është se Vjosa Osmani i ka bërë dëm të pariparueshëm LDK-së për interesa të saj dhe të Kurtit, jo për interes të Kosovës”, ka thënë Mustafa.


