Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për politikat energjetike, duke e akuzuar për dëme ekonomike dhe varësi nga Serbia, raporton GazetaBlic.
Haradinaj tha se Kosova po paguan qindra miliona euro për energji ndaj Serbisë, ndërsa përmendi se Shqipëria ka siguruar furnizim më të qëndrueshëm përmes marrëveshjeve strategjike për gazin amerikan.
Ai rikujtoi se qeveria e Albin Kurti anuloi projektin e Termocentralit “Kosova e Re” dhe refuzoi gazsjellësin Shkup–Prishtinë, duke theksuar se këto vendime, sipas tij, i kanë kushtuar Kosovës mungesë sigurie energjetike dhe mundësi të humbura zhvillimi.
Postimi i plotë;
Përderisa Kosova po paguan qindra miliona euro për Serbinë për energji, përmes sekserëve të lidhur me njerëz të afërt të kryeministrit, Shqipëria firmosi marrëveshjen strategjike për gazin amerikan, e cila do t’i sigurojë furnizim stabil me energji dhe kosto të ulët.
Kurti, sapo erdhi në pushtet, u kujdes që ndër vendimet e para të tij të ishte anulimi fillimisht i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” dhe refuzimi i gazsjellësit amerikan.
Sot, milionat e Kosovës nuk do të shkonin në Serbi, sikur Qeveria Kurti të mos e kishte anuluar ndërtimin e Termocentralit të ri. Sikur të mos ishte bllokuar projekti amerikan i gazsjellësit Shkup–Prishtinë, një projekt me përfitime të mëdha, jo vetëm ekonomike, por edhe të sigurisë.
Sigurisht, Kosova do të bëhej fuqi energjetike në Ballkan dhe nuk do të mbetej në terr as verës e as dimrit, e aq më pak e varur nga mafia energjetike.


