Lajme

Kurti: Sjelljet e opozitës janë jo-shtetërore, kanë qëllim bllokimin e qeverisjes sonë

04/28/2026 16:46
nga:Genita C

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës së sotme për media, ka akuzuar opozitën për bllokim të qëllimshëm të proceseve institucionale, përfshirë edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit, raporton GazetaBlic.

Ai deklaroi se opozita “nuk ka qëllim tjetër përveç bllokimit”, duke shtuar se sjelljet e saj prej kohësh janë, sipas tij, “jokushtetuese dhe antiinstitucionale”.

Kurti theksoi se këto veprime po bëhen me synim pengimin e funksionimit të qeverisë.

“Është bërë e qartë se opozita nuk ka qëllim tjetër përveçse bllokimit. Është e interesuar për bllokimin e qeverisjes sonë. Në këto rrethana, e gjithë kjo bllokadë, nuk mund të quhet ndryshe, pos mosnjohje e rezultatit zgjedhor, të shprehur qartë më 28 dhjetor, si asnjëherë më parë.

Dëshmi për bllokadën është edhe një fakt tjetër, për ta kundërshtuar pakon ekonomike për qytetarët, pra rishikimin e buxhetit, u mobilizuan të gjithë, përfshirë Listën Serbe, kurse për president as nuk po vijnë në sallë.

Me besimin e plotë se nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, meqë kemi mbajtur mjaftueshëm të tilla në vitin 2025 dhe rezultati ka qenë i qartë, e vendit do t’ia humbim së paku 10 milionë euro dhe duke pasur parasysh rrethanat globale, i kemi bërë të gjitha përpjekjet që vendi të mos shkojë në zgjedhje.

U përpoqëm për kandidat konsensual, por ishte e pamundur.

Të shtunën e bëmë një hap tutje, kërkuam nga subjektet politike, të sjellnin 3 emra, ku përveç nënshkrimeve, njërin ta votonin. Ju e dini që s’kanë deputetë për të propzouar kandidat të tyre. LDK-ja mund të propozojë njëfarë gjysmë kandidati. Dyjat bashkë mund ta propozojnë një kandidat.” – tha Kurti.