Sporti

Luis Enrique para gjysmëfinales me Bayernin: Nuk ka ekip më të mirë se ne

04/27/2026 17:06
nga:L J

Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, tha përpara ndeshjes së parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munich se i pëlqen stili i Vincent Kompanyt, duke shtuar se nuk ka ekip më të mirë në Evropë se PSG-ja.

“Nëse ka sulme, duhet të dish si të mbrohesh dhe ky do të jetë çelësi”, tha Enrique në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes.

“Të gjithë trajnerët përpiqen të arrijnë pjesën e fundit të sezonit në formën më të mirë të mundshme. Magjia e Ligës së Kampionëve është ajo që i motivon lojtarët. Jemi në një moment shumë të mirë”, vazhdoi trajneri pariSIen.

“Kemi qenë duke u argëtuar dhe mendoj se e kemi merituar plotësisht në tre javët e fundit. Këto janë dy ekipet më të mira në Evropë, megjithëse edhe Arsenali ka pasur një sezon të shkëlqyer. Për sa i përket qëndrueshmërisë, Bayern është ndoshta pak përpara nesh sepse ka humbur vetëm dy ndeshje. Por për sa i përket asaj që po tregojmë, nuk ka ekip më të mirë se ne. Pasi humbëm 8 vendet e para, e kam thënë tashmë se nuk ka ekip më të mirë se ne”, komentoi ai.

“Më pëlqejnë të gjithë lojtarët, jo vetëm Olise. Vincent Kompany është një trajner i nivelit të lartë, e tregoi këtë në Angli. Kur nënshkroi me Bayernin, e pamë që në fillim se çfarë lloj skuadre krijoi. Bayern është një nga ekipet që më pëlqen t’i shikoj më shumë sepse ata gjithmonë luajnë futboll sulmues. Në përgjithësi, më pëlqejnë të gjithë trajnerët, por veçanërisht trajnerët sulmues, dhe ai është një prej tyre”, tha Enrique.

“Është ndryshe sepse hera e parë që fituam Ligën e Kampionëve ishte një lehtësim. Tani është një histori tjetër, një motivim”, shtoi specialisti 55-vjeçar.

/GazetaBlic Sport