Lajme

Haradinaj nga Meja: Plagët e luftës nuk mbyllen pa ndriçimin e fatit të të pagjeturve

04/27/2026 13:38
nga:G B

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë sot homazhe në nder të të rënëve të masakrës së Mejës, në Ditën e të Pagjeturve, duke theksuar se plagët e luftës nuk mund të mbyllen pa u zbardhur fati i të zhdukurve me dhunë.

Haradinaj kujtoi se më 27 prill 1999, forcat shtetërore serbe kryen njërën ndër masakrat më të mëdha në Kosovë, ku u vranë 376 civilë shqiptarë të pafajshëm, ndërsa shumë prej tyre ende figurojnë të pagjetur.

Ai tha se sot janë nderuar edhe dëshmorët e martirët e Skivjanit, si dhe dëshmorët e Prejlepit, duke veçuar kontributin e këtij fshati në Luftën Çlirimtare.

Haradinaj përkujtoi edhe bashkëluftëtarët e rënë në betejat e fundit të prillit në Dukagjin, duke theksuar se falë gjakut të tyre, luftës heroike të UÇK-së dhe ndihmës së NATO-s të udhëhequr nga Amerika, Kosova sot jeton e lirë në shtetin e saj.

Në fund, ai shprehu mirënjohje për të gjithë të rënët për liri, duke uruar që të pushojnë të qetë në tokën e Kosovës.