Sporti

Prokuroria kërkon 9 vite burg për futbollistin e La Liga-s, akuzohet për sulm seksual

04/21/2026 17:57
nga:Mergim Rreci

Prokuroria në Spanjë ka kërkuar një dënim prej 9 vitesh burg për futbollistin Alvaro Aguado, ish-lojtar i RCD Espanyol, i cili akuzohet për sulm seksual ndaj një punonjëseje të klubit.

Sipas akuzës, ngjarja ka ndodhur në qershor të vitit 2024 në një diskotekë në Barcelona, gjatë festimeve për ngjitjen e ekipit në elitën e futbollit spanjoll, transmeton GazetaBlic Sport.

Prokuroria pretendon se futbollisti e ka sulmuar viktimën në ambientet e tualetit të lokalit, pavarësisht kundërshtimeve të saj të qarta.

Sipas dëshmisë së viktimës, ajo ndodhej në gjendje shoku dhe kishte kërkuar që lojtari të ndalonte, duke theksuar se nuk dëshironte marrëdhënie seksuale. Megjithatë, sipas aktakuzës, ai nuk është ndalur.

Nga ana tjetër, futbollisti mohon akuzat dhe pretendon se marrëdhënia ka qenë me pëlqim të ndërsjellë. Rasti aktualisht është në proces gjyqësor dhe pritet vendimi përfundimtar.

Përveç dënimit me burg, prokuroria ka kërkuar edhe kompensim financiar për viktimën, si dhe masa shtesë kufizuese ndaj të pandehurit pas vuajtjes së dënimit

/GazetaBlic Sport/