Sporti

Milani ka gati planin, Allegrit pritet t’i zgjerohen kompetencat në klub

04/17/2026 22:26
nga:Mergim Rreci

Pas një periudhe tensioni të shkaktuar nga rezultatet negative, te Milani duket se është rikthyer qetësia.

Tri humbjet në katër ndeshjet e fundit kishin lëkundur pozitat e shumë protagonistëve, duke përfshirë yjet si Leao e Pulisic, por mbi të gjitha trajnerin Massimiliano Allegri.

Megjithatë, pavarësisht zërave që e lidhnin atë me stolin e Kombëtares italiane, te Milani është konfirmuar vullneti për të vazhduar projektin me teknikun livornez.

Plani i kuqezinjve për të blinduar Allegrin është i qartë. Ai do të shndërrohet në një menaxher të stilit anglez, me fuqi të plota në vendimmarrje, sidomos në merkato.

Strategjia e verës synon të zgjerojë organikën me të paktën tre blerje të rëndësishme, lojtarë me eksperiencë si rasti Rabiot, për të evituar dështimet e këtij sezoni ku alternativat si Odogu, Jashari apo Nkunku nuk arritën të mbulonin si duhet titullarët.