Lajme

Elbert Krasniqi reagon lidhur me zhvillimet në Kuvendin e Asociacionit të Komunave të Kosovës

04/16/2026 20:02
nga:Genita C

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka reaguar lidhur me zhvillimet në Kuvendin Zgjedhor të Asociacionit të Komunave të Kosovës, duke shprehur shqetësim për, siç tha ai, shkelje procedurale dhe probleme me legalitetin e procesit, raporton GazetaBlic.

Krasniqi theksoi se mënyra e zhvillimit të mbledhjes ngre dyshime serioze mbi legjitimitetin e organeve të zgjedhura dhe bie ndesh me parimet e bashkëpunimit mbipartiak të komunave.

Ai paralajmëroi se ka indikacione për përpjekje të politizimit të Asociacionit dhe përjashtim të disa komunave, duke shtuar se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do t’i shqyrtojë me seriozitet të gjitha zhvillimet dhe vendimet e marra.

Reagimi i plotë:

Reagim lidhur me zhvillimet në Kuvendin e Asociacionit të Komunave të Kosovës

Shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me zhvillimet në Kuvendin Zgjedhor të Asociacionit, të mbajtur sot. Mbledhja e sotme ngre shqetësime serioze lidhur me legaliteti dhe legjitimitetin e organeve të zgjedhura të Asociacionit.

Edhe pse Ligji për Vetëqeverisje Lokale, përkatësisht nenet 31 dhe 32, përcaktojnë qartë të drejtën e komunave për t’u organizuar dhe bashkëpunuar në kuadër të asociacioneve për mbrojtjen e interesave të përbashkëta, ky organizim duhet të jetë mbipartiak dhe në shërbim të të gjitha komunave në mënyrë të barabartë.

Procesi i sotëm në fakt shkel mbi këto parime dhe rregulla. Ai, fatkeqësisht, u karakterizua nga një sërë shkeljesh procedurale dhe devijimesh nga normat që rregullojnë funksionimin e Asociacionit. Për më tepër vu re një shmangie e qartë nga respektimi i procedurave të përcaktuara me Statutin dhe Rregulloren e Punës, duke cenuar kështu legjitimitetin dhe integritetin e vendimmarrjes.

Me theks të veçantë shqetësues është fakti për përpjekjet e hapura për t’i dhënë Asociacionit një ngjyrim politik partiak, në kundërshtim me frymën e ligjit që e përcakton dhe sanskionon qartë natyrën e këtij institucioni. Madje, ekzistojnë indikacione serioze për përpjekje të organizuara të përjashtimit të kryetarëve të komunave të udhëhequra nga një subjekt i caktuar politik, çka përbën cenim të parimit të përfaqësimit të barabartë dhe gjithëpërfshirës.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do t’i shqyrtojë me seriozitet të plotë zhvillimet e sotme, legjimitetin e vendimeve si dhe tutje të vlerësojë raportin e bashkëpunimit me Asociacionin. Çdo bashkëpunim duhet të bazohet në parime të qarta të ligjshmërisë, gjithëpërfshirjes dhe paanshmërisë politike.