Politologu Melazim Koci ka vlerësuar se spekulimet për rikthimin e Vjosa Osmani në Lidhjen Demokratike të Kosovës duhet të merren me rezervë, duke paralajmëruar përçarje të thellë brenda partisë dhe pasoja politike.
“Pohimet për kthimin eventual të Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës duhet të merren me rezervë. Një përpjekje e tillë nga ana e saj mund të shkaktojë përçarje të madhe në LDK, sepse brenda radhëve të kësaj partie ka shumë që, me të drejtë, e konsiderojnë fajtore për rënien e madhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 2021. LDK mund të ndahet në dysh nëse spekulimet për kthimin e saj rezultojnë të vërteta dhe synojnë të realizohen”, tha Koci.
Ai shtoi se një zhvillim i tillë mund të ndikojë negativisht në unitetin e partisë dhe të hapë debate të reja politike brenda saj.
Ndërsa, analisti politik Xhavit Drenori ka deklaruar se rreth takimit të fundit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku mund të ketë mbetur një “mister”, i cili lidhet me diskutimet për çështjen e presidentit.
Sipas tij, zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës mund të ndihmojnë në zbardhjen e këtyre bisedimeve, ndërsa ai pret që në të ardhmen të ketë edhe lëvizje të reja politike në këtë drejtim.
“Me gjasë ka një mister nga takimi i fundit mes Kurtit dhe Abdixhikut. LDK-ja sot brenda partisë pati zhvillime dhe kjo mund t’i hapë rrugë atij ‘misteri’ se për çka kanë biseduar Kurti e Abdixhiku në hollësi për presidentin.”
“Deklarata e Konjufcës i ka hapur rrugë procesit për gjetjen e një kandidati konsensual për president”, tha ai për GazetaBlic.
Konjufca për çështjen e presidentit: Nëse është jo-partiak, unë jap dorëheqje prej kandidaturës


