Ligji për mbrojtjen e konsumatorit është antikushtetues.
Kështu ka thënë për Gazeta Blic, deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
Ky ligj nuk kaloi në Komisionin për Ekonomi, pjesë e të cilit është edhe deputeti.
Ai tha se ky ligj ishte hedhur poshtë nga presidentja dhe tani erdhi pa asnjë arsyetim.
“Parimisht ligji për mbrojtjen e konsumatorit është rrëzuar tashmë nga presidenti si ligj antikushtetues me theks të veçantë për nene të caktuara që bien ndesh me parimet e mirëqenies së pastër. Dhe për çudi na vjen përsëri në rend të ditës një ligj i cili tashmë qartazi është i rrëzuar dhe na vjen pa asnjë lloj arsyetimi, pa asnjë lloj si me thënë shpjegimi apo arsyeshmërie elaboruese pse vjen në rend të ditës dhe pas kësaj ata u tërheq. Sot edhe ata e thanë që kanë bërë një gafë të madhe edhe procedurale edhe juridike dhe u tërhoq ligji. Në anën tjetër sepse thashë është antikushtetues”, është shprehur ai.
Po ashtu, një ligj tjetër që nuk u përkrah në këtë komision ishte ai për energjinë, për të cilin Shala thotë se është jashtë çdo logjike për të stabilizuar sektorin energjetik të vendit.
Ai ka treguar se me këtë ligj, ZRRE planifikon, harton dhe miraton gjithë balancin financiar dhe prodhues dhe gjithçka tjetër në sektorin e energjisë.
“Në anën tjetër kanë sjellë një ligj për energjinë që është jashtë çdo logjike dhe parimi të shëndoshë për të stabilizuar sektorin energjetik të vendit. Ne edhe atje i thamë sot vërejtjet një pjesë të vërejtjeve tona sepse nuk ka shumë atmosferë të mundshme që me ndikuar në përmirësim të legjislacionit nëpër komisione sepse numri i mazhorancës së deputetëve po vendos ashtu, por që ligji bie ndesh si me thënë me parimet elementare sepse është ligj komplet i monopolizimit të sektorit administrativ, juridik dhe si me thënë bie komplet në dorë të një grupi të interesit. Shikoni, vetëm neni 6 i ligjit për energjinë, i cili i jep hapësirë dhe mundësi monopoliste bordit të ZRRE-së me planifikuar, me hartuar dhe me miratuar gjithë bilancin financiar dhe prodhues dhe gjithçka tjetër në sektorin e energjisë, kjo nënkupton që është një armatje për me u gjithçka nën kontroll që bie ndesh me të gjitha parimet. Rregullatori tashmë ka humbur si me thënë rolin e vet, por që po kthehet në mekanizëm dhe levë definitivisht për politikat e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik gjithësisht të qeverisë”, ka theksuar deputeti për Gazeta Blic.
Sipas tij, një gjë e tillë nuk është askund në Evropë.
“Pra, në asnjë rajon të Evropës apo të botës nuk gjanë që një organ i vetëm edhe bën planifikimin, edhe bën hartimin dhe bën miratimin e atij plani rregullator. Pra këtu tashmë të gjitha ato çka është folur, është shkruar, qoftë nga KEK-u, qoftë nga Kosti, bien poshtë, të gjitha planifikimet hidhen poshtë dhe i bën vetëm një trup, një bord i caktuar që tashmë është definuar si bord politik”, ka potencuar ai.
Deputeti thotë se ekziston mundësia që ky ligj të kalojë në komision, por që nuk është aspak i shëndetshëm për sektorin energjetik dhe sipas tij është tendencë e qeverisë për të fuqizuar biznesin e vet klanor në këtë sektor.
“Në këto relacione çfarë unë pashë edhe mund të kalojë, por që nuk është i shëndetshëm as për ekonominë e nuk është i shëndetshëm as më pak për sektorin energjetik dhe normalisht shpërfaq tendencën e hapur që tek tash ka pasur qeveria për të fuqizuar biznesin e vet klanor e financiar në sektorin e energjisë”, ka deklaruar Ferat Shala./Gazeta Blic/


