Lajme

Ngjarje e rëndë në Shtime: Humb jetën një 48-vjeçar në vendin e punës

04/15/2026 22:13
nga:Genita C

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se një person rreth 48 vjeç ka humbur jetën pasi është lënduar gjatë punës në një kompani në zonën industriale në Shtime.

Sipas tij, rasti ka ndodhur mbrëmjen e 15 prillit 2026, rreth orës 20:45, ndërsa viktima është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Ferizajt, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen.

Veseli ka shtuar se njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa në hetime janë përfshirë edhe hetuesit rajonalë, krimteknikët, prokurori i shtetit dhe Inspektorati i Punës, për të sqaruar rrethanat e rastit.

“Ju njoftojmë se me datën 15.04.2026, rreth orës 20:45, kemi pranuar një nformatë se në një kompani, në zonën industriale në Shtime, një person (punëtor) rreth 48 vjeç, është lënduar gjatë punës. Ai është dërguar menjëherë në Emergjencën e Ferizajt, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e tij”.

“Njësitet relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, përfshirë patrullat policore dhe hetuesit e stacionit. Gjithashtu janë njoftuar edhe hetuesit dhe krimteknikët nga Sektori Rajonal i Hetimeve, prokurori i shtetit, si dhe Inspektorati i Punës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme hetimore”, tha Veseli për GazetaBlic.