Analisti politik Xhavit Drenori ka deklaruar se rreth takimit të fundit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku mund të ketë mbetur një “mister”, i cili lidhet me diskutimet për çështjen e presidentit.
Sipas tij, zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës mund të ndihmojnë në zbardhjen e këtyre bisedimeve, ndërsa ai pret që në të ardhmen të ketë edhe lëvizje të reja politike në këtë drejtim.
“Me gjasë ka një mister nga takimi i fundit mes Kurtit dhe Abdixhikut. LDK-ja sot brenda partisë pati zhvillime dhe kjo mund t’i hapë rrugë atij ‘misteri’ se për çka kanë biseduar Kurti e Abdixhiku në hollësi për presidentin.”
Ai përmend edhe gatishmërinë e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, për të bërë hapa prapa në rast të një kandidati konsensual nga partitë opozitare.
Sipas Drenorit, këto zhvillime mund të çojnë drejt gjetjes së një kandidati të përbashkët për president, duke e konsideruar këtë si një hap pozitiv për avancimin e procesit politik në vend.
“Në anën tjetër, është e natyrshme që në këtë fazë Kurti nuk ka zhvilluar ndonjë iniciativë të re karshi PDK-së, por unë jam i bindur që do të ketë zhvillime të reja. Nëse LDK nuk do të ketë një qëndrim të unifikuar me 15 votat për çështjen e një marrëveshjeje me VV-në, atëherë Konjufca sot e bëri të qartë se është i gatshëm të tërhiqet nëse ka kandidat nga partitë opozitare. Ky është një lajm i mirë që ka seriozitet në avancim të situatës. Në këtë drejtim, VV-ja duhet t’i drejtohet PDK-së me një kërkesë më specifike, siç po e kërkojnë, për të gjetur një emër të përbashkët që nuk i takon asnjëherë subjektit”, thotë ai.
“Deklarata e Konjufcës i ka hapur rrugë procesit për gjetjen e një kandidati konsensual për president”, tha ai për GazetaBlic.
Koci: Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK rrezikon përçarje të thellë në parti


