Lajme

KEDS për gjobën nga MINTI: Po punojmë për zgjidhje të pranueshme për palët

04/15/2026 17:17
nga:Y I

Kompania Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë– KEDS ka thënë se është duke punuar për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët, në lidhje me gjobat e shqiptuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI).

Në një përgjigje me shkrim për RTKLive, zëdhënësja e KEDS-it, Bleona Dallaveraj tha se aktualisht KEDS-i është në komunikim të vazhdueshëm me ZRRE-në, me qëllim, sipas saj, identifikimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe të pranueshme.

“KEDS, në cilësinë e kompanisë së rregulluar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), operon në përputhje të plotë me kornizën ligjore në fuqi, ku çdo investim i nënshtrohet koordinimit dhe aprovimit paraprak nga ZRRE. Në këtë drejtim, dhe në funksion të trajtimit të situatës së krijuar, KEDS ju informon se aktualisht është në komunikim të vazhdueshëm me ZRRE dhe AMK, me qëllim identifikimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të gjitha palët. Për më tepër, duke qenë se kjo çështje është aktualisht në trajtim nga organet kompetente hetimore, konsiderojmë të nevojshme që në këtë fazë të përmbahemi nga ofrimi i informacioneve shtesë, me qëllim shmangien e çdo mundësie të ndikimit apo pengimit të hetimeve në vijim”, tha ajo.

Duke shtuar se KEDS mbetet i përkushtuar të bashkëpunojë në mënyrë të plotë me institucionet përkatëse dhe të kontribuojë në trajtimin e drejtë dhe transparent të kësaj çështjeje, në përputhje me obligimet ligjore dhe rregullatore.