Politologu Melazim Koci ka vlerësuar se pohimet për një kthim eventual të Vjosa Osmani në Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të merren me rezervë, duke paralajmëruar pasoja të mundshme për partinë, raporton GazetaBlic.
Sipas tij, një rikthim i tillë mund të shkaktojë përçarje të thellë brenda LDK-së, pasi një pjesë e konsiderueshme e anëtarësisë e sheh Osmanin si përgjegjëse për rënien e partisë në vitin 2021.
Ai thekson se, nëse këto spekulime rezultojnë të vërteta, ekziston rreziku real që LDK të ndahet në dysh.
“Pohimet për kthimin eventual të Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës duhet të merren me rezervë. Një përpjekje e tillë nga ana e saj mund të shkaktojë përçarje të madhe në LDK, sepse brenda radhëve të kësaj partie ka shumë që, me të drejtë, e konsiderojnë fajtore për rënien e madhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 2021. LDK mund të ndahet në dysh nëse spekulimet për kthimin e saj rezultojnë të vërteta dhe synojnë të realizohen”, tha Koci.
Koci shton se një lëvizje e tillë mund të mbështetet nga lideri i partisë, Lumir Abdixhiku, me qëllim forcimin e pozitës së tij, por paralajmëron se kjo do të thellonte krizën e brendshme dhe do të ngrinte pikëpyetje për parimet në skenën politike kosovare.
“Këtë lëvizje mund ta dëshirojë zoti Abdixhiku, i cili duket se mendon se kështu e forcon pozicionin e tij si lider i kësaj partie, me Vjosa Osmanin e rikthyer. Megjithatë, kthimi eventual i saj në LDK, përveç përçarjes potenciale, do të dëshmonte gjithashtu se në skenën politike kosovare mungojnë parimet dhe dominojnë interesat e ngushta personale”, shtoi ai.
Ai përmend edhe opsione të tjera të mundshme, si bashkimi i Osmanit me një listë të veçantë në kuadër të LDK-së para zgjedhjeve, apo formimi i një partie të re.
Megjithatë, sipas tij, të gjitha këto skenarë bartin rreziqe për përçarje, ndërsa krijimi i një subjekti të ri politik mbetet më pak i besueshëm për shkak të kohës së kufizuar dhe vështirësive për t’u konsoliduar në skenën politike në Kosovë.
“Pak më e mundshme është që Vjosa Osmani t’i bashkohet LDK-së me një listë të vetën (si “Guxo”) pak para zgjedhjeve, por edhe ky opsion bart rreziqe për përçarje të brendshme në LDK, para ose pas mbajtjes së zgjedhjeve eventuale në qershor”.
“Mbetet edhe mundësia e tretë, ajo e formimit të një partie politike nga ana e zonjës Osmani. Por ky është një opsion më pak i besueshëm, për shkak të kohës së kufizuar dhe faktit që lansimi i partive të reja në Kosovë vështirë gjen terren. Këtë e kanë provuar edhe personalitete të tjera të fuqishme dhe kanë dështuar”, tha Koci për GazetaBlic.
“LDK synon rikthimin e të gjithë anëtarëve, dera e hapur edhe për Vjosa Osmanin”, thotë Azemi


