Megjithëse edhe pak kohë na ndajnë nga përfundimi i afatit për zgjedhjen e Presidentit të ri, ende nuk ka një emër të propozuar nga pozita apo opozita për President të ri të vendit.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka mbajtur një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në lidhje me këtë çështje por pa ndonjë rezultat konkret.
I njëjti ka paralajmëruar takim edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
Në lidhje me këtë çështje dhe se çfarë pritet të ndodhë ka folur për “Gazeta Blic”, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti.
Haliti tha se duke parë qëndrimet e deritanishme të Kurtit por edhe të kryetarëve të partive opozitare sipas tij të gjithë po përpiqen të fajësojnë njëeri-tjetrin për mos-zgjedhjen e Presidentit.
Sipas Halitit, Kurti, s’po sinjalizon që është i gatshëm që të bëj ofertë për opozitën.
“Duke pasë parasyshë qëndrimet e daritashme, publike e jopublike, të Kryeministrit të Kosovës dhe kryetarëve të partive politike lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, është e qartë që të gjithë po përpiqen ta fajësojnë njëri-tjetrin për mos-zgjedhjen. Askush nuk është ofruar dhe as kryeministri nuk po sinjalizon që është i gatshëm që të bëj ofertë për opozitën” deklaroi Haliti.
Ai bëri thirrje për bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës për interesa madhore të shtetit.
“Megjithatë janë edhe disa ditë që partitë politike e Kryeministri ta ndryshojnë qasjen lidhur me këtë qështje që Kosova mos të humbë kohë edhe gjashtë muaj të tjera e që s’ka siguri prapë që do të ketë marrëveshje dhe pa marrëveshje nuk e shoh të mundshme konstituimin e institucioneve dhe funksionalizimin e plotë të institucioneve të shtetit. Opozita e pozita duhet të bashkëpunojnë për interesa madhore të Republikës” deklaroi Haliti në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”
/Gazeta Blic/


