Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë për zgjatjen e pasigurisë politike dhe implikimet e saj të drejtpërdrejta në stabilitetin makroekonomik dhe klimën e të bërit biznes në vend.
Në një moment kritik, kur ekonomia e Kosovës ka nevojë urgjente për thellim të reformave strukturore, avancim të politikave fiskale dhe rritje të investimeve kapitale, vendi po përballet me një ngërç institucional që po pengon vendimmarrjen strategjike dhe zhvillimin afatgjatë.
I bëjmë thirrje spektrit politik që të gjejë një zgjidhje të menjëhershme dhe konsensuale për çështjen e Presidentit, duke shmangur vendin nga një cikël i ri zgjedhjesh të parakohshme. Përvoja e viteve të fundit ka dëshmuar se paqëndrueshmëria politike prodhon kosto të drejtpërdrejta ekonomike, duke krijuar pasiguri për investitorët dhe duke dobësuar besimin në institucionet vendore.
Paralajmërimet e institucioneve financiare ndërkombëtare për ngadalësim të rritjes ekonomike, në kombinim me indikatorët aktualë – rënie të investimeve të huaja direkte, përkeqësim të bilancit tregtar përmes rritjes së importit dhe uljes së eksportit, presione inflacionare dhe tkurrje të aktivitetit ekonomik – sinjalizojnë qartë nevojën për stabilitet dhe orientim të qartë ekonomik.
Në këto rrethana, ekonomia e vendit kërkon:
vendimmarrje të shpejtë dhe të qëndrueshme institucionale,
politika fiskale të përgjegjshme dhe të orientuara drejt zhvillimit,
rritje të investimeve kapitale me efekt shumëfishues në ekonomi,
dhe një klimë të parashikueshme për bizneset dhe investitorët.
Çdo devijim nga këto prioritete, përfshirë edhe shtyrjen e vendit drejt zgjedhjeve të reja, rrezikon të thellojë pasigurinë ekonomike dhe të dëmtojë perspektivën zhvillimore të Kosovës.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës u bën thirrje të gjitha forcave politike që të veprojnë me përgjegjësi të lartë shtetërore, duke vendosur stabilitetin institucional dhe zhvillimin ekonomik mbi interesat afatshkurtra politike.
Kosova ka nevojë për stabilitet politik për të garantuar progres ekonomik.


