Analistja politike, Shqipe Pantina, thotë se ende nuk dihet nëse vendi do të shkojë drejt zgjedhjes së një presidenti të ri apo zgjedhjeve të reja, raporton GazetaBlic.
Pantina në një prononcim për GazetaBlic, shton se e gjitha varet nga vullneti i kryeminsitrit Kurti, sepsa pa votat e Lëvizjes Vetëvendosje nuk mund të zgjidhet presidenti.
Ajo vlerëson se sinjalet e Kurtit janë kontradiktore, në njërën anë ai deklaron se nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, ndërsa në anën tjetër nuk tregon gatishmëri për kompromis politik dhe nuk pranon që posti i presidentit t’i takojë opozitës.
“Është shumë e paqartë nëse do të kemi president të ri apo zgjedhje të reja. Kjo varet nga vullneti i Kurtit, sepse pa votat e Lëvizjes Vetëvendosje nuk mund të zgjidhet Presidenti. Sinjalet e tij nuk janë të qarta: në njërën anë thotë se nuk ka nevojë për zgjedhje, ndërsa në anën tjetër nuk tregon gatishmëri për marrëveshje politike dhe nuk është i gatshëm që pozitën e Presidentit t’ia japë opozitës. Ndërkohë, ende nuk dihet nëse ka emra jashtë politikës që janë duke u diskutuar”, u shpreh ajo.
Sipas saj kjo situatë e pasigurtë është e qëllimshme, në mënyrë që mediat të merren me temën e presidentit, ndërsa çështje tjera të rëndësishme sipas saj të mbetën në hije
“Unë mendoj se ai qëllimisht po e mban të pasigurt zgjedhjen e Presidentit, në mënyrë që mediat të merren me këtë temë, ndërsa çështje të tjera më të rëndësishme, si dhe shumë skandale të qeverisë së tij, të mbeten në hije”, përfundoi ajo për GazetaBlic.


