Klubi Futbollistik FC Feronikeli 74 ka njoftuar opinionin publik për zhvillimet më të fundit në strukturën drejtuese, pas mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të klubit gjatë ditës së sotme.
Në këtë takim të rëndësishëm, anëtarët e kuvendit kanë diskutuar dhe më pas kanë vendosur unanimisht për zgjedhjen e kryesisë së re, transmeton GazetaBlic Sport.
Në krye të klubit është emëruar Alban Veseli në postin e Presidentit, ndërsa Lapidar Lladrovci është caktuar Drejtor Sportiv dhe Argjend Bardhi Menaxher i klubit.
Pas marrjes së detyrës, Presidenti i ri, Veseli, ka falënderuar anëtarët për besimin e dhënë, duke theksuar përgjegjësinë dhe privilegjin për të udhëhequr një klub me traditë si Feronikeli 74.
“Jam i privilegjuar të menaxhoj një klub siç është FC Feronikeli 74. Jam i nderuar që gjeta bashkëpunëtorë me energji të jashtëzakonshme për angazhim dhe punë. Së bashku do të punojmë fuqishëm që në vitet e ardhshme klubi të jetë ndër më të organizuarit, duke e bërë krenar qytetin e Drenasit dhe gjithë Kosovën,” ka deklaruar Veseli.
Ai gjithashtu ka theksuar se një nga prioritetet kryesore të drejtimit të tij do të jetë zhvillimi i akademisë së klubit, me qëllim krijimin e kushteve sa më të mira për talentët e rinj.
/GazetaBlic Sport/


