Lajme

Berisha: Vendi pashmangshëm po shkon drejt zgjedhjeve të reja, s’pritet të prodhojnë stabilitet, vetëm riciklim krize!

04/09/2026 10:36
nga:Y I

Pas dekretit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese, u dha deputetëve të Kuvendit edhe 34 ditë kohë për të zgjedhur Presidentin e ri të vendit.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka filluar takimet me krerët e partive opozitare.

Deputetët kanë kohë deri me datën 28 shkurt për të zgjedhur Presidentin e ri, në të kundërt vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme brenda një afati 45 ditor.

Në lidhje me këtë çështje, çfarë pritet të ndodhë, ka folur për “Gazeta Blic” ish-deputeti dhe zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha.

Berisha tha se çështja e Presidentit është një krizë e hapur politike që po prodhohet dhe menaxhohet nga vetë shumica në pushtet.

Ai potencoi se Kryeministri dhe shumica parlamentare pritet t’a shfrytëzojnë këtë periudhë për të konsoliduar kontrollin politik dhe për të kaluar marrëveshje ndërkombëtare me mbështetjen e përkohshme të opozitës.

“Situata rreth Presidentit nuk është më thjesht një çështje interpretimi kushtetues, por një krizë e hapur politike që po prodhohet dhe menaxhohet nga vetë shumica në pushtet.Formalisht, mund të ketë një përpjekje për zgjidhje brenda afateve të imponuara, por në thelb kjo do të jetë vetëm një zgjidhje taktike për të fituar kohë. Në praktikë, pritet që Kryeministri dhe shumica parlamentare të shfrytëzojnë këtë periudhë për të konsoliduar kontrollin politik, për të kaluar marrëveshje ndërkombëtare me mbështetjen e përkohshme të opozitës dhe për të ruajtur legjitimitetin e jashtëm, ndërkohë që brenda vendit përshkallëzohet përplasja institucionale.Në raport me Presidenten, arsyeja e përplasjes është thelbësisht politike, pra, për aq kohë sa ajo i ishte e nevojshme për balancë dhe legjitimitet ndërkombëtar, e toleroi formalisht, por në momentin që filloi të perceptohet si kërcënim për supremacinë politike të Kurtit, synon ta eliminojë politikisht përmes instrumenteve institucionale dhe vendimeve të dirigjuara deri në nivelin më të lartë juridik kushtetues” deklaroi Berisha për “Gazeta Blic”.

Ish-deputeti, Berisha, tha se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka zgjidhur krizën por se e ka thelluar atë.

“Duhet evidentuar fakti se dërgimi taktik, nga ana e Presidentes, i amendamenteve për zgjedhjen e Presidentit, si dhe nga Kryekuvendarja i çështjes së zgjedhjes së Presidentes në Kuvend, përmes kërkesës për masë juridike në Gjykatën Kushtetuese, ishte një akt i mirëllogaritur strategjik për përfitim në kohë. Presidentes i duhej kohë për konsolidimin dhe zhvillimin e subjektit politik “Shpresa”, ndërsa amendamentet kushtetuese kërkojnë së paku gjashtë muaj për procedim. Në anën tjetër, Kryekuvendarja siguroi përmes masës juridike një zgjatje funksionale të situatës, duke e dërguar çështjen pikërisht në momentin e skadimit të mandatit të Presidentes dhe marrjes së kësaj pozite nga ajo vetë. Në këtë mënyrë, znj. Haxhiu, për një periudhë deri në gjashtë muaj, deri në tetor, ushtron funksionin e Presidentes dhe ka në diskrecion të plotë caktimin e datës së zgjedhjeve.Në këtë kontekst, edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka zgjidhur krizën, por e ka thelluar atë. Ai ka krijuar një precedent duke goditur vetë autoritetin e vet funksional që garanton rendin kushtetues, duke vënë në pikëpyetje rolin e saj si gardiane e Kushtetutës dhe koherencën e jurisprudencës së saj.E kjo rrethanë, pasi të kapet edhe pozita e Presidentit, do të thotë kontroll total institucional. Këshilli Prokurorial dhe Këshilli GJyqësor, janë të dominuar nga emisarë partiakë të nominuar nga Komiteti i Partisë së Kurtit. Kjo nënkupton se edhe prokurorët, kryeprokurori dhe ai i Speciales do të jenë me identitet partiak” tha Berisha.

Duke folur për Kryeministrin Kurti dhe lëvizjet e tij të fundit, Berisha, tha se i njëjti po adaptohet ndaj kërkesave të qendrave evropiane, me theks Parisit, për të ruajtur mbështetjen politike.

“Për më tepër, ky zhvillim nuk mund të lexohet i shkëputur nga konteksti ndërkombëtar. Kryeministri, i cili dikur ndërtonte narrativë kundërshtuese ndaj faktorëve ndërkombëtarë, sot po adaptohet ndaj kërkesave të qendrave evropiane, me theks Parisit, për të ruajtur mbështetjen politike, përfshirë zbatimin e marrëveshjeve antikushtetuese të Brukselit dhe Ohrit, alias planin franko-gjerman me vetëmenaxhimin dhe statusin special të objekteve religjioze ortodokse, si prona serbe. Nëse i referohemi vizitës së fundit në Paris, takimit dhe dakordimit me Macronin francez, do të shkohet drejtë daljes nga kursi i veprimit politik nën dorzaninë e SHBA, për arritjen e një marrëveshje të re, si ajo e Prespes në mes Greqisë e Maqedonisë. Kjo e forcon pozitën e tij në planin e jashtëm, por e thellon cenimin e interesave kombëtare dhe e tensionon më tej skenën e brendshme politike”

Sipas Berishës vendi në mënyrë të pashmangshme po shkon drejt zgjedhjeve të reja por sipas të njëjtat nuk pritet të prodhojnë stabilitet.

“Në këtë rrethanë, përfaqësuesit e opozitës, nëse joshen nga “karremi” i Kurtit për pozitën e Presidentit, vetëm sa mund të përdoren në mënyrë selektive për votime të caktuara strategjike, siç pritet të jenë marrëveshjet ndërkombëtare, ndërsa paralelisht nga Komitetet e Partisë së LVV-së po zhvillohet një proces i brendshëm për rikonfigurim të pushtetit dhe neutralizim të rivalëve institucionalë.Përfundimisht, edhe nëse prodhohet një zgjidhje e përkohshme, ajo do të jetë vetëm një fazë kalimtare drejt një krize më të thellë. Prandaj, vendi në mënyrë të pashmangshme po shkon drejt zgjedhjeve të reja.Por këto zgjedhje, në kushtet e një sistemi të kontestuar, korruptiv dhe të komprometuar si proces, rrezikojnë të mos prodhojnë stabilitet, por vetëm të riciklojnë krizën.Ky nuk është më debat për një mandat apo për një emër, kjo është një përballje për kontrollin e shtetit dhe drejtimin e tij. Dhe nëse Kushtetuta vazhdon të interpretohet sipas nevojave të momentit politik, atëherë nuk kemi më rend kushtetues, por deformim të tij me pasoja afatgjata për vetë shtetin” deklaroi ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/