Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, në “Click” të RTV21 ka deklaruar se Kosova mbetet ndër vendet me më së paku rezerva të derivateve të naftës, duke u varur kryesisht nga importi i përditshëm.
Sipas tij, bizneset që operojnë në këtë sektor nuk kanë kapacitete të mjaftueshme, qoftë financiare apo logjistike, për të krijuar rezerva afatgjata.
“Bizneset blejnë sot për sot, sepse nuk e dinë se çfarë mund të ndodhë nesër,” theksoi Shahini.
Ai shtoi se, megjithëse shpesh përmendet se Kosova ka çmime të larta të derivateve, realiteti sipas tij është ndryshe në krahasim me rajonin.
“Shqipëria dhe Serbia kanë çmime më të larta, ndërsa Maqedonia është më e lira,” u shpreh ai.
Shahini gjithashtu theksoi një fenomen në rritje, ku qytetarët e Kosovës po udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut për t’u furnizuar me derivate të naftës për shkak të çmimeve më të favorshme atje.


