Trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, u shpreh shumë i kënaqur pas fitores në ndeshjen e parë çerekfinale të UEFA Champions League ndaj Sporting CP, duke theksuar vështirësinë e sfidës në transfertë.
“Jam shumë i lumtur që fituam në transfertë në çerekfinale të Champions League ndaj një skuadre që nuk kishte humbur në shtëpi prej shumë kohësh. Besoj se hera e fundit ka qenë gjithashtu në Europë, dhe kjo tregon sa e vështirë ishte kjo ndeshje,” deklaroi Arteta për Amazon Prime, transmeton GazetaBlic Sport.
Duke folur për vështirësitë në fazën sulmuese, ai pranoi se skuadra e tij hasi probleme në konkretizim: “Po, pati momente kur mendova se mund të mos shënonim, sepse kur arrinim në zonën e fundit na mungonte goditja përfundimtare. Duhej të ishim më të saktë, më të shpejtë dhe më efikasë për të thyer mbrojtjen e tyre. Patëm një gol të anuluar dhe disa raste të mira, por na mungoi pasimi final. Në fund, një moment magjik nga realizuesit vendosi ndeshjen.”
Sa i përket golit të fitores, tekniku spanjoll e cilësoi atë si vendimtar: “Ishte një moment i bukur dhe kjo është ajo që të duhet në këtë fazë të sezonit. Çdokush duhet të japë kontributin e tij dhe sonte lojtarët e bënë këtë.”
/GazetaBlic Sport/


