Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi në një prononcim për emisionin Gazeta, ka ngritur shqetësime për faturimin e energjisë elektrike, duke theksuar se qytetarët po përballen me padrejtësi si pasojë e matjeve të pasakta nga njehsorët të cilët i ka vendosur KEDS-i dhe dështimeve institucionale, shkruan Gazeta 10.
Azemi tha se ka pranuar ankesa të shumta në rrjetet e tij sociale nga qytetarët në gjithë Kosovën, të cilat sipas tij dëshmojnë për pasaktësi në faturimin e energjisë elektrike.
Sipas tij, përgjegjësia ndahet në tri shtylla kryesore. Ai së pari akuzoi KEDS-in për matje të gabuara nga njehsorët dhe faturim të pasaktë, gjë që ka bërë që qytetarët të paguajnë më shumë se sa duhet, duke u tarifuar me çmime më të larta.
Së dyti akuzoi Zyren e Rregullatorit për Energji (ZRrE), për të cilën ai tha se ka dështuar të sigurojë zbatimin e vendimeve për tarifat nga operatorët ekonomikë, duke rezultuar në dëme për qytetarët.
NDhe së treti, ai përmendi Qeverinë, konkretisht Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, duke theksuar se nuk ka ndërmarrë hapa për verifikimin dhe kalibrimin e njehsorëve.
Azemi shtoi se brenda kësaj ministrie ekziston agjencioni kompetent për kalibrimin e pajisjeve matëse, i cili sipas tij ka dështuar të sigurojë që matjet të jenë të sakta.
“Nëse shteti nuk është marrë me kalibrimin e tyre dhe me këtë problematikë, atëherë është një prej shtyllave kryesore të përgjegjësisë”, shtoi tutje Azemi.


