Profesori dhe ish-kryetari i KQZ-së Mazllum Baraliu, në emisionin Gazeta ka komentuar zhvillimet e fundit politike lidhur me Ramush Haradinajn, duke e cilësuar tërheqjen e dorëheqjes së tij si një lëvizje taktike dhe strategjike.
Sipas Baraliut, Haradinaj fillimisht kishte dhënë dorëheqje me bindjen se vendi do të shkonte në zgjedhje të reja pas dekretit përkatës. Megjithatë, ai ka vendosur ta tërheqë atë, duke vlerësuar se prania e tij është e nevojshme për partinë në këtë fazë politike.
“Duket se ai ka vepruar mbi bazën e një kalkulimi politik, duke menduar se zgjedhjet janë të pashmangshme. Tërheqja e dorëheqjes tregon një ripozicionim strategjik, me qëllim që të mbetet aktiv dhe i dobishëm për subjektin e tij politik,” tha Baraliu në Gazeta.
Ai shtoi se kjo lëvizje mund të interpretohet edhe si përpjekje për të ruajtur ndikimin politik në skenën vendore, por jo domosdoshmërisht si një hap i drejtpërdrejtë drejt marrjes së një posti të ri institucional, si ai i kryetarit apo presidentit.
Sipas Baraliut, zhvillimet e ardhshme politike do të tregojnë nëse kjo strategji do të rezultojë e suksesshme për Haradinajn dhe partinë e tij.


