Drejtoria e Kadastrit në Prishtinë ka arritur një rekord të ri në shërbimin ndaj qytetarëve, duke trajtuar 13,661 kërkesa vetëm gjatë 25 ditëve të fundit të punës, njoftoi sot drejtori Gent Begolli.
Nga këto, 13,083 kërkesa janë aprovuar, duke treguar një përmirësim të dukshëm në efikasitetin dhe ritmin e punës së institucioneve të administratës publike.
Brenda pak javësh, qytetarët kanë përjetuar një ndryshim të prekshëm në shërbim:
Gjeodezia – trajtim brenda 2 ditëve
Kadastër – trajtim brenda rreth 2 javësh
Hipotekat – trajtim brenda ditës
Ky rezultat është veçanërisht i rëndësishëm duke marrë parasysh vonesat e mëparshme që shkonin deri në nëntor 2025. Sot, sistemi operon me ritëm dhe efikasitet që i përgjigjet nevojave reale të qytetarëve.
“Çdo kërkesë është një qytetar që pret zgjidhje – dhe kjo është përgjegjësia jonë,” theksoi Gent Begolli, duke përshëndetur punën e ekipit të tij.


