Sporti

Barcelona shton interesimin për Fisnik Asllanin, shihet si zëvendësues i Lewandowskit

04/02/2026 13:32
nga:Mergim Rreci

Fisnik Asllani është shndërruar në një nga emrat më të përfolur të merkatos që nga fillimi i sezonit, falë formës së tij të shkëlqyer me Hoffenheimin në Bundesligë.

Sulmuesi kosovar ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha evropiane, duke përfshirë ekipe nga Premier Liga, Serie A dhe gjigantët e futbollit gjerman, por mbi të gjitha interesimi i Barcelonës duket se po merr formë konkrete, transmeton GazetaBlic Sport.

Deri vonë, si klubi gjerman ashtu edhe vetë lojtari kishin ruajtur një qëndrim të kujdesshëm, duke mos dhënë sinjale për një largim të mundshëm. Hoffenheim kishte theksuar vazhdimisht se Asllani ka kontratë të vlefshme dhe se nuk ka pasur oferta zyrtare, ndërsa lojtari dhe agjenti i tij, Ayman Dahmani, kishin shmangur çdo deklaratë të drejtpërdrejtë për të ardhmen.

Megjithatë, situata ka ndryshuar ditët e fundit. Performanca mbresëlënëse e Asllanit me Kosovën në kualifikimet për Kupën e Botës e ka rikthyer atë në qendër të vëmendjes, duke nxitur reagime edhe nga kampi i tij. Pas fitores ndaj Sllovakisë, agjenti Dahmani konfirmoi për mediat gjermane se Barcelona ka kërkuar zyrtarisht informacion për lojtarin.

Sipas raportimeve, drejtori sportiv i klubit katalanas, Deco, po analizon profilin e Asllanit si një opsion të mundshëm për repartin ofensiv. Sulmuesi konsiderohet një alternativë e përballueshme financiarisht, sidomos në një kohë kur Barcelona po kërkon zgjidhje më të kujdesshme në merkato. Ai mund të jetë gjithashtu një zëvendësues potencial në rast të largimit të Robert Lewandowski.

Vetë Asllani nuk e ka fshehur më parë dëshirën për të luajtur në La Liga, duke theksuar se një klub si Barcelona do të ishte një destinacion i ëndrrave për të nëse largohet nga Bundesliga.

Një element kyç në këtë operacion mbetet klauzola e lirimit, e cila sipas raportimeve nuk pritet të kalojë shifrën e 30 milionë eurove, një shumë relativisht e arsyeshme për një lojtar me potencialin dhe formën e tij aktuale.

/GazetaBlic Sport/