Komentatori Haldun Domaç ka hedhur dritë mbi një prapaskenë interesante, duke zbuluar se sulmuesi kosovar Vedat Muriqi ishte shumë pranë që të përfaqësonte kombëtaren turke në të kaluarën.
Në një koment të tij për “A Spor”, Domaç tregoi se gjatë periudhës kur në krye të përfaqësueses ishte trajneri legjendar Fatih Terim, kishte përpjekje konkrete për ta bindur Muriqin të vishte fanellën e Turqisë.
“Muriqi kishte dëshirë të madhe të luante për kombëtaren tonë. Shumica e dokumentacionit u përfundua, por marrëveshja nuk u realizua për shkak të disa detajeve të fundit”, deklaroi Domaç, transmeton GazetaBlic Sport.
Sipas tij, procesi kishte avancuar ndjeshëm dhe pothuajse gjithçka ishte gati në aspektin administrativ, por në fund transferimi ndërkombëtar i përfaqësimit nuk u finalizua, duke lënë kështu sulmuesin jashtë planeve të Turqisë.
Ky zbulim rikthen në vëmendje një moment kyç në karrierën e Muriqit, i cili më pas u bë një nga figurat kryesore të përfaqësueses së Kosovës, duke u shndërruar në një lider ofensiv dhe një nga emrat më të rëndësishëm të ekipit.
Këto diskutime po bëhen para ndeshjes finale mes dy kombëtareve, të cilat synojnë një vend në Kupën e Botës.
/GazetaBlic Sport/


