Lajme

Haradinaj priti në takim Emanuele Giaufret: Kosova prapa në integrimin euro-atlantik, koha për vendimmarrje të guximshme

03/27/2026 13:32
nga:Y I

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim z. Emanuele Giaufret, Zëvendësdrejtor Menaxhues për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, proceset integruese euroatlantike, si dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian. Haradinaj theksoi përkushtimin e Aleancës për avancimin e agjendës evropiane të Kosovës dhe forcimin e partneritetit me aleatët ndërkombëtarë.

Ai vlerësoi se Kosova gjatë këtyre viteve ka ngecur në agjendën integruese euro-atlantike, veçanërisht në synimin për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Sipas tij, është jetike që vendi të rikthehet në binarë të sigurt, përmes vendimmarrjes së përgjegjshme dhe thellimit të bashkëpunimit me partnerët strategjikë.

Haradinaj ritheksoi se orientimi euro-atlantik mbetet rruga e vetme për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.